Lajme

Ngjarjet në Veri dhe deklaratat e komunitetit ndërkombëtar trimëruan Serbinë – Bassuener për Albanian Post


Ilustrim: Kurt Bassuener

Për Kurt Bassuener, bashkëthemeluesi i think-tankut me seli në Berlin, Democratization Policy Council – misioni i së cilës është të shtyjë demokracitë e krijuara dhe ato në zhvillim dhe institucionet transnacionale dhe ndërkombëtare për të ndjekur politika të bazuara në vlerat dhe parimet liberale demokratike – situata e krijuar në Veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë për të vendosur kryetarët në ndërtesat e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nën asistencën e Policisë së Kosovës, pa koordinim me aleatët e saj, dëshmoi se fitues gjithë në këtë mes doli Serbia dhe presidenti i saj Aleksandër Vuçiç.

Pjesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te qëndrimi i përbashkët i vendeve të QUINT-it, e cilësuan këtë veprim si vendosje e masave të dhunshme në Kosovë.

DASH-i dënoi atë çfarë ndodhi në Veri duke vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Reagim pothuajse të njëjtë patën edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it të cilët bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që në mënyrë imediate të tërhiqen dhe ta de-përshkallëzojnë situatën në Veri.

Sipas Bassuener, reagimet e komuniteti ndërkombëtar, dëshmuan se çdo gjë që mund të komplikojë procesin e dialogut shihet si problematike në Uashington, Bruksel dhe gjetkë.

“Kam lexuar deklaratat e sekretarit Blinken dhe ambasadorit Hovenier, si dhe deklaratën e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it. Barra e përpjekjes për t’i dhënë frymë ‘Marrëveshjes së Ohrit’ duket se është shumë më e rëndë mbi Prishtinën sesa Beogradin”, thotë Bassuener për Albanian Post.

Kjo situatë e krijuar në Veri të Kosovës të premten e 26 majit, sipas Bassuener, dëshmoi gjithashtu se SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe janë të përkushtuar ndaj një politike, e cila vendos në qendër presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përkundër devijimit të vazhdueshëm të këtij të fundit nga vlerat liberale-demokratike.

“Për fat të keq, heshtja përballë demonstratave masive në Beograd të shtunën është treguese i qartë i kësaj. Dhe ky qëndrim me siguri e ka trimëruar Beogradin në veprimet e tij në Veri të Kosovës”, pohon Bassuener për AP.

Ndryshe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë të përbashkët me gazetarë këtë të martë, bëri me dije se Qeveria e Kosovës po dështon në pjesën veriore, sepse nuk është koordinuar me aleatët.

Hovenier pohoi se vendimet e fundit të kryeministrit Kurti, janë duke ndikuar drejtpërdrejtë në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve – diçka që asnjëherë nuk është thënë më parë. Ai shtoi se administrata amerikane i ka pasur – dhe vazhdon t’i ketë – dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës.

Njëra është që kryeministri Kurti të mos insistojë që kryetarët e sapozgjedhur – Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Lulzim Hetemi – të punojnë nga ndërtesat komunale, nënvizoi Hovenier, ndërsa e dyta është që ai t’i tërheqë menjëherë njesitet elitare policore nga tri ndërtesat komunale në veri – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Për më tepër, ai ka pohuar se shteti qe ai përfaqëson disponon fare pak entuziazëm që të angazhohet në disa prej çështjeve shtet-ndërtuese dhe proceseve në të cilat po kalon aktualisht shteteti më i ri në Evropë – një ogur i zi për të ardhmën euro-atlantike të vendit – pas zhvillimeve të fundit.

Ambasadori amerikan ishte mjaft i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Kosova, tha ai, “s’ka çka lypë” më në stërvitjen ushtarake ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja “Defender Europe ’23”.

Të martën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në Veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore