Kosova

Ambasadori amerikan “i trembur” nga kursi i Kurtit – Çka iu tha Hovenier kosovarëve?


Jeff Hovenier dhe Albin Kurti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës – sponsori kyç i pavarësisë së Kosovës – nuk është më entuziaste për ta mbështetur Kosovën në interesat dhe aspiratat e saj euro-atlantike, sepse Kryeministri Albin Kurti, u ka thënë jo dy kërkesave amerikane për shtendosjen e situatës në pjesën veriore të vendit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë të përbashkët me gazetarë këtë të martë, bëri me dije se Qeveria e Kosovës po dështon në pjesën veriore, sepse nuk është koordinuar me aleatët, porse la të nënkuptohet se ka ende kohë për t’i përmbysur gjërat.

Hovenier pohoi se vendimet e fundit të kryeministrit Kurti, janë duke ndikuar drejtpërdrejtë në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve – diçka që asnjëherë nuk është thënë më parë. Ai shtoi se administrata amerikane i ka pasur – dhe vazhdon t’i ketë – dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës.

Njëra është që kryeministri Kurti të mos insistojë që kryetarët e sapozgjedhur – Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Lulzim Hetemi – të punojnë nga ndërtesat komunale, nënvizoi Hovenier, ndërsa e dyta është që ai t’i tërheqë menjëherë njesitet elitare policore nga tri ndërtesat komunale në veri – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër. Ishim totalisht kundër, se i dinim konsekuencat që do të vinin. Kemi kërkuar nga Kurti që të marrë hapa konkretë drejt uljes së tensioneve në veri, ai nuk është përgjigjur ndaj këtyre kërkesave. Po konsiderojmë cilët hapa të tjerë do të ndërmarrim”, shtoi ai.

Për më tepër, ai ka pohuar se shteti qe ai përfaqëson disponon fare pak entuziazëm që të angazhohet në disa prej çështjeve shtet-ndërtuese dhe proceseve në të cilat po kalon aktualisht shteteti më i ri në Evropë – një ogur i zi për të ardhmën euro-atlantike të vendit – pas zhvillimeve të fundit.

“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha Hovenier.

Por, pasoja e parë apo “sanksionet” e para tashmë kanë arritur në adresë të ekzekutivit dhe ambasadori amerikan ishte mjaft i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Kosova, tha ai, “s’ka çka lypë” më në stërvitjen ushtarake ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja “Defender Europe ’23”.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi i natës së shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në ‘Defender Europe 2023’. Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha ai.

Ushtria e Kosovës u përjashtua nga rreshti. Megjithëse ambasadori shprehu keqardhje për krejt këtë situatë, tha se shpreson që kryeministri Kurti t’i marrë në konsideratë këshillat amerikane dhe t’i përgjigjet thirrjeve për t’u tërhequr nga vendimi që kryetarët të ushtrojnë detyrat e tyre në objektet komunale.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, shtoi ambasadori.

Ndryshe, të martën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë irredentise.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore