Lajme

Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe MCC-së


Momenti nga nënshkrimi i marrëveshjes

Me një ceremoni solemne është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit në fushën e energjetikës.

Marrëveshjen në fjalë në emër të Kosovës e ka nënshkruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ndërsa kryeshefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright ka qenë nënshkruesja në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova me këtë marrëveshje pritet të përfitojë një grant prej 202 milionë dollarësh në fushën e energjetikës.

Para nënshkrimit të marrëveshjes kryeshefja e MCC-së, Albright, në fjalimin e saj ka bërë të ditur se marrëveshja në fjalë do të sjellë dobi për miliona njerëz.

“SHBA ka lidhje të thellë me Kosovën. Shumë kanë punuar për këtë marrëveshje, dua të falënderoj ekipin. Që nga viti 2004, MCC ka punuar me shumë vende, duke investuar miliarda dollarë për shumë programe e shtete”, ka thënë ajo.

Pas Albright, fjalim ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një prej sallave të Kongresit Amerikan, ku nga këtu ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.

Për Osmanin investimi në fjalë, do të jetë trashëgimia më e mirë për gjeneratat e ardhshme të Kosovës

Osmani, tutje ka shtuar se këto investime, do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

“SHBA po na ndihmon edhe më tutje për ekonomi me këtë marrëveshje, duke qëndruar pranë nesh dhe për të parë këtë sukses të veçantë, që ne të arrijmë edhe më shumë gjatë viteve në vazhdim. Duke parë sfidat e tranzicionit të energjisë, duke formuar vende pune, por edhe siguria e energjisë është një çështje e rëndësishme”, ka thënë Osmani.

Vjosa Osmani

E në fjalimin e tij Kurti, ka thumbuar partitë opozitare, pasi sipas tij ai nesër do të ndihet i mërzitur kur opozita do ta votojë ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe MCC-së.

“Unë duhet ta pranoj që jam pak i mërzitur që ministrja Rizvanolli dhe unë do të mungojmë një prej rasteve të radhaa kur opozita na përkrah neve. Jam serioz, jam shumë i sigurt që edhe ata do të mërziten”, ka thënë ai.

Më tej në fjalimin e tij, Kurti këtë ditë e ka cilësuar si historike.

”Është ditë e madhe që Kosova të krijojë mundësi për prodhim energjisë së pastër. Ky bashkëpunim i ngushtë e bën Kosovën të jetë një vend që ecë drejt prodhimit të energjisë së pastër. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen në moment të rëndësishëm për Kosovën. Në fund të këtij viti do të fillojmë me promovimin e energjisë solare”, ka shtuar Kurti.

Paraprakisht gjatë ditës së mërkurë, Qeveria e Kosovës në një mbledhje online miratoi ratifikimin e marrëveshjes, ndërkohë që Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e ka miratuar këtë në fund të qershorit.

Albin Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore