Lajme

Në tentim për ta arsyetuar shefin e tij, Këshilltari i Bislimit i quan “të ligë e dashakeqe” gazetarët


Klisman Kadiu

Në tentim për ta arsyetuar e mbuluar deklaratën e shefit të tij, Këshilltari për Media i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, i ka cilësuar si “të ligë e dashakeqe” mediat të cilat i kanë përcjellur publikut një deklaratë skandaloze të Bislimit, ku ai iu drejtua Bashkimit Evropian duke u thënë të mos e detyrojnë Kosovën “ta eskalojë situatën prapë”.

Ndonëse Bislimi ishte mjaft i qartë në deklarimin e tij ku tha se “ne” i kemi thënë BE-së që të mos i detyrojë ta eskalojnë situatën prapë, Kadiu në pafuqinë e tij karshi një deklarate skandaloze është mjaftuar t’i cilësojë raportimet si “konspiracione” e të nxjerra nga konteksti.

“Sa tё ligё e dashakeq duhet tё jenë tё gjithё ata qё po përpiqen tё ndërtojnë konspiracione shtetërore e kërcënime ndërkombëtare nga njё gjysmë fjalie e njё interviste”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

“Ajo qё ёshtё thёnё, ёshtё shumё e thjeshtё: nёse masat janё vёnё pёr deeskalim dhe deeskalimi ka ndodhё, cila ёshtё arsyeja e mosheqjes sё masave? Mos ёshtё idea se pritet ndonjё eskalim i ri, e ky çdo herë e kemi parë që ka ardhur nga Serbia, qё qeveria sërish tё demonstroj aftësinë pёr deeskalim?”, është sqaruar Kadiu, por pa cituar Bislimin në tërësi, sidomos duke mos e përmendur fare pjesën ku thotë: “Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni ta eskalojmë situatën për t’iu treguar që e de-eskalojmë prapë”.

Kadiu madje duke iu referuar si “dashakeqë” të gjithë atyre që kanë raportuar këtë deklaratë skandaloze, ka potencuar se të njëjtit “po duan t’i bindin ndërkombëtarët tё mbajnё dhe shtojnё masat ndaj Kosovёs”.

Për ta pasur të plotë se çfarë ka thënë Bislimi dhe për të rrëzuar dyshimet për nxjerrje nga konteksti, apo keqkuptim, po e sjellim deklarimin e Bislimit nga momenti i pyetjes së gazetares e deri në përfundim të përgjigjes.

Citati nga emisioni:

“Ne ato kushte (për de eskalim) i kemi përbushur.

Në qoftë se tash Bashkimi Evropian thotë se e kemi edhe një kusht, ato pushojnë së qenuri masa për de-eskalim. Marrin kuptim tjetër, ka tendecë që të njëjtin produkt me ta shitë pesë herë.

Është keqpërdorim i masës.

Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni ta eskalojmë situatën për t’iu treguar që e de-eskalojmë prapë. Situata në Veri ka de-esklauar, tregoni që masat që janë vendosur për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjishkme të futen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore