Shqipëria

Në parlamentin ukrainas valon edhe flamuri kuq e zi


Në përvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, Verkhovna Rada ose parlamenti i vendit ka dhe ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar të Shqipërisë në sallë.

Ashtu si ndihma modeste por shumë e vyer sidomos në rangje diplomatike e Shqipërisë, flamuri i mbështetur në llozhën përbri, tregon se vendi ynë e ka merituar me sukses një ulëse mes “miqve të Ukrainës”.

Burime për Albanian Post brenda punimeve të seancës plenare bëjnë me dije se në parlament gjendet dhe një delegacion shqiptar.

Tre deputetë të Partisë Socialiste u nisën të enjten drejt Kievit.

Bëhet fjalë për ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe dy deputetët Xhemal Qefalia dhe Denis Deliu.

Majko ka publikuar madje një foto në media sociale, bashkangjitur përshkrimit “Rrugës në Kiev”.

Nga 24 shkurti deri më 31 dhjetor 2022, rreth 32 mijë ukrainas hynë në Shqipëri, nga të cilët afro 29 mijë u larguan nga vendi.

Kështu bën të ditur raporti më i fundit i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Deri në fund të dhjetorit 2022, rreth 2 mijë 500 ukrainas që kanë ikur nga lufta në Ukrainë vlerësohej të ishin të pranishëm në Shqipëri.

Kujtojmë që Qeveria shqiptare u ka dhënë të drejtën e qëndrimit në Shqipëri shtetasve ukrainas deri në një vit pa pasur nevojë për leje qëndrimi.

Në mesin e zhvillimeve të luftës në Ukrainë, autoritetet shqiptare do të shprehnin menjëherë gatishmërinë e tyre për të mirëpritur refugjatë ukrainas.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat, mbrëmjen e 25 shkurtit theksonte se kjo ishte pasuria që “kemi detyrë tua trashëgojmë fëmijëve tanë, si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës morale të këtij kombi”.

“Ne sot në samit jemi angazhuar në fakt këtë herë, e kanë bërë këtë gjë shumë vende të tjera, jo si herën e parë për afganët e shkretë që i lanë rrugëve”, kujtoi ai.

Sipas tij, megjithëse prej vitesh ishin në krah të forcave të NATO-s për të mikpritur njerëzit, familjarët do të largohen nga Ukraina.

“Siç e thashë në këtë situatë, çështja e këtyre njerëzve do jetë në vëmendje të shumë vendeve”, shtoi kreu i Qeverisë.

Më 13 mars një familje e përbërë nga tre anëtarë – mamaja dhe dy fëmijët – me prejardhje nga Ukraina, do të mbërrinin në Laknas të Tiranës.

Ata ishin zyrtarisht familja e parë e refugjatëve ukrainas të ardhur në Shqipëri pas agresionit rus në vendin e tyre.

Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj më 16 qershor në një konferencë përpara debatit të hapur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të përgëzonte disa nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shqipërinë për strehimin e rreth 7 milionë ukrainasve të zhvendosur me forcë nga lufta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore