Lajme

Në Kosovë dyshohet për konfiskimin e rreth 400 kilogramëve kokainë, flet ministri i brendshëm


Pas konfiskimit të rreth 400 kilogramëve kokainë, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova do të jetë e pakompromis në luftimin e aktiviteteve kriminale.

Ai ka falenderuar institucionet e partnerëve aleat që ndihmuan në këtë zbulim.

“Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kosova “nuk do të jetë më streha e kriminelëve”.

Të hënën media të ndryshme kanë raportuar se janë kapur mbi 2 ton kokainë. Këto raportime i ka mohuar, drejtori i Departamentit anti-drogë, Bahri Shala.
“Nuk mund të jap shumë informacione, por nuk janë 2.2 ton që janë kapur. Këto janë informacione nga mediat në Shqipëri që kanë manipuluar me informacionin. Janë në vendin e ngjarjes dhe janë në proces të ekzaminimit të vendit të ngjarjes. Ende nuk kemi diçka të saktë”, ka thënë Shala për kallxo.

Policia e Shqipërisë, i ka thënë Albanian Post se ata nuk mund të japin detaje, por operacion policor vjen si bashkëpunim mes Policisë së Shqipërisë, Kosovës dhe asaj Italiane.

Ndërsa thirrjeve telefonike dhe pyetjeve të dërguara nga Albanian Post, Policia e Kosovës nuk ju ka përgjigjur ende. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Dogana e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore