Lajme

Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet e RMV-së s’përbënë shkelje ligjore, thotë Pendarovski


Stevo Pendarovski dhe Albin Kurti

Për presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërhyrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në zgjedhjet të cilët pritet të mbahen në maj të këtij viti në Maqedoninë e Veriut nuk përbënë asnjë shkelje ligjore.

Meqë, sipas tij, do të jenë shtetasit e Maqedonisë së Veriut ata të cilët do të votojnë e jo ata nga Kosova.

“Kurti do të japë mbështetje nga Kosova. Kjo ndodhë gjithmonë. Njerëzit në varësi të ideologjisë së tyre mbështesin një parti apo individ të caktuar. Kemi parti të ndryshme që marrin mbështetje nga grupacione të ndryshme”, ka pohuar Pendarovski në një intervistë për Euronews Albania.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, javën e kaluar pritën në takim opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht, Arben Taravarin, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Bilall Kasamin, kryetarin e Lëvizjes BESA, Izet Mexhitin, kryetarin e Lëvizjes Demokratike dhe Afrim Gashin, kryetarin e Alternativës.

Temë diskutimi mes tyre, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ka qenë situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe nevoja për përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në Maqedoninë e Veriut.

“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe Pendarovski, në një vizitë zyrtare në Kosovë javë më parë ofroi mbështetje për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, derisa shtoi se të dy shtetet fqinje kultivojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim bilateral pozitiv dhe konstruktiv.

“Të dyja shtetet kultivojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, me dialog të hapur në të gjitha nivelet. Shprehëm interes për përparim të tij në të gjitha sferat e interesit të përbashkët. Ne i mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës”, shkroi presidenti Pendarovski.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut kontribuon edhe në mbështetjen e paqes në Kosovë nëpërmjet pjesëmarrjes në Forcës së NATO-s (KFOR) në Kosovë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar miratoi vendimin që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR pas tensioneve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore