Lajme

Musliu-Shoshi, qeverisë: Boll e keni përça këtë shoqëri


Deputetja e PDK-se, Ariana Musliu Shoshi

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ndaj deklaratës tejet problematike të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, i cili ndër të tjera protestën e thirrur nga shoqëria civile kundër koordinimit të Qeverisë së Kosovës me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, e lidhi me ato kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka thënë se këto janë “shqelmat e fundit të qeverisë ’zdraVo’”, duke iu referuar audio-incizimeve që janë publikuar këto ditë, ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke koordinuar politika shtetërore me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç.

“Boll e keni përça këtë shoqëri e përmbysë këtë shtet nga brenda e nga jashtë!”, shkroi ajo në “Facebook”.

Tutje, deputetja e PDK-së theksoi se nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albini, Kurti, “kush nuk don me na pa, e veten e urrejmë më së shumti!”

“Kosova jonë meriton më shumë!”, përfundon ajo.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, duke komentuar protestën e thirrur nga shoqëria civile dhe e përkrahur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër koordinimit të Qeverisë së Kosovës me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë, ka bërë një deklaratë mjaftë problematike.

Sveçla, sikur një teoricien i konspiracionit, e jo një ministër i një dikasteri mjaft të rëndësishëm, ka arritur të lidhë protestën e paralajmëruar sot në Prishtinë me ato në Serbi të cilët po mbahen kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it.

Përmes një shpjegimi të thukët, Sveçla, ka shkruar se presidenti Vuçiç i është kthyer metodave të tij të luftës hibride duke tentuar të nxisë trazira në Kosovë, pasi ka kuptuar se po e humb betejën në terren me Kurtin.

Prandaj ai ka deklaruar se “mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, meqë sipas tij protesta e thirrur për sot vije në një farë mënyre si një urdhër nga Serbia.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiç-it”.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”.

“Ai po e humb ndikimin në Veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar”, ka potencuar ai përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

“Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt. I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiç-i ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiç-it, por dobësimin e pozicionit të Kurtit”, ka shtuar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore