Lajme

Ministria e Infrastrukturës: Do ta mbikëqyrim zbatimin e vendimit për biletat e autobusëve


Ministria e Infrastrukturës.

Pas dorëzimit të padisë për anulimin e vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës nga shoqata e transportueseve në lidhje me çmimoren për disa kategori, kjo ministri ka reaguar duke thënë se janë duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth rritjes së çmimeve të biletave.

Sipas komunikatës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), thotë se është detyruar të nxjerrë akt nënligjor për t’i caktuar çmimoret deri në normalizimin e gjendjes me çmimet e operatorit të transportit ndërurban të udhëtarëve me autobus.

“Njoftohen të gjithë operatorët se MMPHI-ja, përmes mekanizmave dhe instrumenteve ligjore do të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit në fjalë nga të gjithë operatorët e transportit të udhëtarëve, rrjedhimisht në mbështetje të dispozitave ligjore të ligjit N/L-179 për transportin rrugor”.

“Organet e kontrollit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Mirëpo, caktimin e çmimores e ka kundërshtuar ashpër Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtimit.

Të dielën, në një takim, Shoqata i ka dhënë Ministrisë 72 orë kohë për ta anuluar vendimin ose ndryshe do të protestojnë.

Stacioni i autobusëve.

Jakup Berisha, anëtar i kësaj shoqate ka paralajmëruar se do t’i shkruajnë edhe ambasadave të QUINT-it.

“Në lidhje me këtë do të iu shkruajmë pesë ambasadave të QUINT-it, se si politika ndërhyn në tregun e lirë të Kosovës duke tentuar të dirigjoj çmimet dhe çmimet në transportin rrugor të udhëtarëve”, tha Berisha.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se rrethanat e kanë detyruar që të vijnë në një situatë të tillë.

Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për të përgjysmuar pagesën e çmimit të biletës së autobusit për disa kategori të shoqërisë po duket i padrejtë nga Shoqata e Transportit Rrugor të Kosovës.

Kështu, transportuesit kanë vendosur që për këtë vendim të dorëzojnë padi për anulimin e saj.

Padia ka të bëj me çmimoren për disa kategori të udhëtarëve dhe Kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

Kujtojmë, se zëvendësministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi, të premten bëri të ditur se ka marrë vendim që çmimi i biletave të autobusit për disa kategori përgjysmohen nga çmimi aktual.

Në bazë të vendimit, kategoritë që përfitojnë nga përgjysmimi i çmimit të biletës së autobusëve janë fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët.

“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritë që prek më shumë kjo gjendje”, ka shkruar Durimishi.

Sipas tij, kjo çmimore hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet e tillë deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të natës.

“Jemi duke jetuar në një situatë jashtëzakonisht të vështirë qoftë për qytetarët qoftë për bizneset për ja që fati deshi sot të përballim me gjykatë me të vetmen kërkesë që të mbrojmë interesat e biznesit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore