Sport

Milan-i dhe Inter-i prezantojnë projektin e stadiumit të ri me kapacitet prej 65 mijë ulëseve


Milan-i dhe Inter-i kanë prezantuar projektin e stadiumit të ri me një kapacitet prej rreth 65 mijë ulëseve.

Të dyja ekipet kanë siguruar tifozët e tyre se pavarësisht zvogëlimit të kapacitetit, çmimet e biletave nuk do të rriten.

Planet kanë vazhduar më shumë se tre vjet, por ende nuk janë pranuar nga autoritetet lokale të qytetit.

Ata ende nuk janë plotësisht të vendosur në formën e strukturës së re, e cila mund të jetë ovale dhe jo opsioni drejtkëndor i “Katedrales”.

Gjithashtu as vendndodhja nuk është përcaktuar ende, pasi nëse marrin leje për të ndërtuar pranë stadiumit ku është tani – i cili më pas do të rrëzohej – klubet ende mund ta çojnë stadiumin e tyre jashtë Milanos në Sesto San Giovanni.

“Projekti ynë është për një stadium prej 60 – 65 mijë vendesh,” shpjegoi drejtori i Zhvillimit të Infrastrukturës së Inter-it, Mark van Huuksloot.

“Ajo që ne do të përpiqemi të bëjmë është ta mbushim atë çdo ndeshje, gjë që për momentin nuk po ndodh”, shtoi ai.

“Kjo do të ndihmojë gjithashtu për të mbajtur çmimet në kontroll, për të shmangur rritje të mëdha për fansat. Jam i bindur se do të jemi në gjendje t’i mbajmë të gjithë të lumtur me këtë projekt”, tha mes tjerash Mark van Huuksloot.

Stadio aktual Giuseppe Meazza, i njohur gjithashtu edhe si San Siro për shkak të rrethit ku ndodhet, ka një kapacitet prej 80 mijë ulëse.

Këshilltari i Milan-it, Giuseppe Bono foli gjithashtu për këtë projekt, i cili tha se klubet kanë nevojë për një stadium të ri.

“Për të qenë sërish konkurrues, ne kemi nevojë për një strukturë të re, moderne që i përshtatet më mirë nevojave të klubeve dhe tifozëve”, tha Bono.

“Diferenca në të ardhurat nga shitja e biletave mes Milan-it apo Inter-it dhe skuadrave të mëdha evropiane si Bayern Munich, Real Madrid apo Barcelona varion nga 80 milionë euro në 140 milionë euro.

“Kjo tregon se për të qenë konkurrues në skenën ndërkombëtare, klubet kanë nevojë për stadiume, të cilat më pas mund të kenë një efekt pozitiv në të gjithë qytetin”, tha mes tjerash ai.

Kujtojmë që ndërtimi i stadiumit të ri pritet t’i kushtojë klubeve mbi 800 milionë euro.

Stadiumi aktual i qytetit filloi të ndërtohej në vitin 1925, derisa inaugurimi u bë më 19 shtator të vitit të ardhshëm, ku kishte një kapacitet prej 35 mijë ulëseve.

Ai më pas u rinovua disa herë, derisa i fundit ishte në vitin 1987 para Kupës së Botës FIFA 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore