Lajme

Merezhko: S’ka asnjë indikacion se Ukraina do ta njohë Kosovën, vendimi mund të shtyhet deri në përfundimin e luftës


Aleksandar Merezhko

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Ukrainës, Aleksandar Merezhko, në një prononcim për rrjetin ballkanit të lajmeve “N1”, formati në gjuhën serbe, ka komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që nëse Ukraina e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, ukrainasit humbin gjithçka.

“Para së gjithash, jam tronditur nga mënyra krejtësisht e papranueshme, jodiplomatike me të cilën presidenti i Serbisë i ka paraqitur kërcënimet e tij. Ato janë kërcënime, madje edhe shantazhe absolutisht të papranueshme. Kështu e perceptoj unë deklaratën e tij për ne”, ka thënë Merezhko.

Deputeti ukrainas ditë më parë ka paralajmëruar se në Kiev po diskutohet gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa presidenti serb ka reaguar duke thënë se “shumë më të mençur” e konsideron presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, sesa kryetarin e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë.

“Jam i sigurt se është e drejta jonë sovrane të vendosim nëse do ta njohim Kosovën apo jo. Nuk i takon Vuçiçit të na mësojë apo të na diktojë se çfarë të bëjmë. Kjo është absolutisht tronditëse dhe e papranueshme. Për sa i përket njohjes, sipas kushtetutës sonë, kjo është prerogativë e presidentit”, ka theksuar Merezhko.

Ai ka shtuar se aktualisht ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës nuk e konsideron çështjen e njohjes së Kosovës fort të përshtatshme, ndërsa ka supozuar se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës do të shtyhet deri në përfundimin e agresionit rus në Ukrainë.

“Ky është supozimi im. Por aktualisht nuk ka asnjë indikacion se Ukraina do ta njohë zyrtarisht Kosovën. Por në të njëjtën kohë, unë jam anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe mund të vendoset çështja e pranimit të Kosovës në KiE nga Asambleja Parlamentare”.

Dhjetëra kryetarë të Komisioneve për Punë të Jashtme të shteteve aleate, përfshirë deputetin ukrainas, janë drejtuar me një letër të përbashkët Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, ku thuhej se baza e politikës së jashtme duhet të jetë fakti se Kosova është një vend sovran.

“Pra, në një mënyrë apo tjetër, ne duhet të merremi me këtë çështje. Sigurisht, politikisht dhe juridikisht është një çështje e ndërlikuar. Por në të njëjtën kohë, dua të theksoj se parlamenti nuk vendos nëse do ta njohë apo jo Kosovën, por disa nga kolegët e mi janë avokues të fortë dhe mbështesin njohjen e Kosovës”.

“Por është një pyetje e rëndësishme sepse mund të shihni se ne mund të dallojmë, mund të shohim disa ngjashmëri mes Kosovës dhe Ukrainës. Ukraina aktualisht është e ekspozuar ndaj gjenocidit. Rusia po bën dhe po bën një luftë gjenocidale kundër Ukrainës, dhe me sa më kujtohet nga historia e Kosovës, Kosova ishte në një situatë të ngjashme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore