Lajme

Mekanizmi që do ta monitorojë Specialen – çfarë diskutoi Haxhiu me Trëndafilovën?


Për mekanizimin e përfolur që supozohet se do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale, të cilin Ministria e Drejtësisë së Kosovës e ka përmendur, është biseduar edhe në takimin e 22 shtatorit mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Kësaj të fundit, gjatë vizitës pompoze në Prishtinë, i është bërë e qartë se ky organ do të themelohet, edhe pse për Specialen një mekanizim i tillë nuk është i nevojshëm, pasi mendojnë se “gjyqtarët nuk duhet të jenë të kontrolluar”.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, zyra për media e ministrisë së Drejtësisë kanë njoftuar se ideja e këtij mekanizmi kishte rrjedhur pas vizitave të realizuara në Hagë, “në të cilat vizita ishte evidentuar mungesa e një monitorimi nëse respektohen të drejtat e personave që mbahen atje, në përputhje me të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare apo jo”.

“Dhe mbi këtë bazë, është diskutuar mundësia e një mekanizmi i cili do të monitoronte këtë aspekt”, thuhet në përgjigje.

Sipas MD-së, gjatë takimit të Haxhiut me Trëndafilovën, është diskutuar për shumë çështje, me fokus të veçantë në ato të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e personave që mbahen në Hagë, kujdesin dhe kushtet e trajtimit të tyre.

“Mbi këtë bazë është diskutuar edhe për një mekanizëm monitorues”.

Por, nga MD-ja nuk kanë bërë të ditur se në çfarë faze është themelimi i mekanizmit monitorues.

Bisedën e Haxhiut e Trëndafilovës për mekanizimin e kanë konfirmuar edhe nga Gjykata Speciale, ndonëse nuk kanë dhënë shumë detaje.

“Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe presidentja Trëndafilova diskutuan për një sërë çështjesh, duke përfshirë procedurat publike në vazhdim dhe punën e gjykatës, të drejtat e të akuzuarve dhe viktimave gjatë procedurës, rolin e Avokatit të Popullit si dhe bashkëpunimin”, thuhet në përgjigjen e Speciales për AP.

Ndërsa në një përgjigjej të mëhershme për Albanian Post nga Gjykata Speciale, thuhej se një mekanizim i tillë nuk është i nevojshëm.

“Gjykata Speciale është gjykatë ligjore dhe funksionon me mandatin e pajtuar në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës e mbështetur nga korniza ligjore në Kushtetutën e Kosovës.”, thuhej në një përgjigje me shkrim të Gjykatës Speciale.

Prandaj, “Korniza ligjore e Gjykatës mundëson liri dhe të drejta fondamentale sipas Kushtetutës dhe Gjykata aplikon standarde ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që janë në vijë me vendimet e Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Si në çdo sistem të drejtësisë i bazuar në ligj, kjo kornizë ligjore mundëson pavarësi të gjyqtarëve, të cilët nuk janë të kontrolluar apo të influencuar nga çfarëdo autoriteti ekzekutiv, apo legjislativ”.

Përkundër kritikave për punën e Gjykatës Speciale, më 29 qershor, kryetarja Ekaterina Trendafilova, në një intervistë për AP, deklaroi se e vërteta e numrave flet ndryshe.

“Në fakt, sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se, pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët”.

Por, Trendafilova deklaron se, përkundër që Specialja nuk është krijuar të jetë popullore, ajo vetë dhe në përgjithësi struktura e kësaj Gjykate “mbetet e përkushtuar që të sigurojë se informacionet rreth punës dhe mandatit të saj të jenë të shpërndara në mënyrë transparente dhe në mënyrë efikase te publiku në Kosovë dhe më gjerë në rajon”.

Kredibiliteti i Gjykatës Speciale

Kryetar i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë të tij, pasi kishte udhëtuar për një vizitë të të burgosurve në Hagë, kishte deklaruar se ka kohë që po e mendon se si mund të interferohet – pa e cenuar procesin gjyqësor – që Gjykata Speciale të jetë më transparente në punën e saj.

Anomalitë e Speciales janë theksuar edhe nga ekspertë të drejtësisë, vendorë dhe ndërkombëtarë.

Albanian Post, bashkë me emisionin Opinion në Shqipëri, ka realizuar një dokumentar që shpërfaqë parregullsitë e këtij procesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore