Kosova

Si do të duket mekanizimi që monitoron Dhomat e Specializuara? – flasin nga Ministria e Drejtësisë dhe Specialja


Foto-ilustrim nga Albanian Post

Në Ministrinë e Drejtësisë është duke u diskutuar për themelimin e një mekanizimi që do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale. Por, përmes një përgjigje me shkrim nga Specialja thonë se ky institucion i drejtësisë funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe u mundëson gjyqtarëve të jenë pavarur dhe të mos kontrollohen nga çfarëdo autoriteti.

Berita Abazi, nga kabineti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Albanian Post se pas vizitës në Hagë të ministres Haxhiu, është konstatuar se puna në Speciale duhet të monitorohet.

“Pas vizitave në Hagë, është evidentuar mungesa e një monitorimi nëse respektohen të drejtat e personave që mbahen atje, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Dhe mbi këtë bazë, është diskutuar mundësia e një mekanizmi i cili do të monitoronte këtë aspekt, dhe e cila çështje, ende mbetet në nivelin e diskutimeve fillestare”, tha Abazi përmes një përgjigje me shkrim për AP.

Objekti i Gjykatës Speciale

Ndryshe mendojnë në Gjykatën Speciale. Për ta një mekanizim i tillë nuk është i nevojshëm, pasi thonë se “gjyqtarët nuk duhet të jenë të kontrolluar”

“Gjykata Speciale është gjykatë ligjore dhe funksionon me mandatin e pajtuar në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës e mbështetur nga korniza ligjore në Kushtetutën e Kosovës.”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Gjykatës Speciales për Albanian Post.

Prandaj, “Korniza ligjore e Gjykatës mundëson liri dhe të drejta fondamentale sipas Kushtetutës dhe Gjykata aplikon standarde ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që janë në vijë me vendimet e Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Si në çdo sistem të drejtësisë i bazuar në ligj, kjo kornizë ligjore mundëson pavarësi të gjyqtarëve, të cilët nuk janë të kontrolluar apo të influencuar nga çfarëdo autoriteti ekzekutiv, apo legjislativ”.

Çollkau: Specialja duhet të këtë një mekanizëm llogaridhënës të paanshëm, është urgjente

Bekim Çollaku, ish-këshilltari i presidentit, Hashim Thaçi, që tash është pjesë e ekipit mbrojtjes, thotë se puna e deritanishme e kësaj gjykate është karakterizuar me lëshime dhe të meta të shumta që janë bërë publike nga raportet kredibile të organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e kësaj gjykate.

Por, ai konsideron që me gjitha të metat e evidentuara, kjo gjykatë duhet të vazhdojë punën, sepse është mekanizmi i vetëm ligjor relevant për të vërtetuar pafajësinë e të akuzuarve dhe për t’i hedhur poshtë si të pavërteta akuzat e Dick Marty për kinse trafikim me organe njerëzore.

Bekim Çollaku

“Deri në këtë fazë, sigurisht që kjo gjykatë i ka sjell Kosovës dëme të pariparueshme në aspektin e imazhit ndërkombëtar. Kushdo jashtë Kosovës që e përcjell punën e saj, lehtë mund ta krijojë përshtypjen e gabuar se “shqiptarët e Kosovës të cilët kanë bërë luftë çlirimtare në mbrojtje të pragut të shtëpisë së tyre, paskan kryer krime kundër njerëzimit gjatë shpërbërjes së përgjakshme të ish- Jugosllavisë”.

“Kjo gjykatë ndërkombëtare e imponuar edhe pse e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, nuk i jep askujt llogari në Kosovë. Për më tepër, edhe funksionimi i saj dhe kohë zgjatja e saj është lënë në dorë të Këshillit të BE-së. Çfarë ironie, Këshilli i BE-së po mban të izoluar popullin e Kosovës për më shumë se 10 vjet, dhe po i njëjti mekanizëm e ka në diskrecion kohëzgjatjen e kësaj gjykatë”, tha Çollaku.

Çollaku, shton se të gjithë këta faktor, sigurisht që imponojnë domosdoshmërinë që institucionet tona shtetërore në koordinim me ato relevante ndërkombëtare, të fillojnë të adresojnë këto shqetësime legjitime.

“Fillimisht duke u siguruar se kjo gjykatë duhet të këtë një mekanizëm llogaridhënës të paanshëm. Kjo tashmë është urgjente për të parandaluar deformimet tjera që mund të ndodhin në proces në mungesë të llogaridhënies dhe barazisë së armëve, si dhe për të pamundësuar ndikimet politike nga jashtë”.

Edhe avokati i licencuar nga Gjykata Speciale – Skender Musa, qëndron në një linjë me Çollakun.

Ai thotë se gjykatat në Republikën e Kosovës janë të pavarura dhe për punën e tyre i raportojnë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por “në këtë drejtim Gjykata Speciale e Kosovës që vepron në Hagë nuk ka të formuar fare Këshillin Gjyqësor në të cilin është dashur të raportojë”.

“Prandaj propozimi i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për mendimin tim është pozitivë”, tha Musa për AP.

“Format dhe modalitet e këtij mekanizmi natyrisht duhet t’i përcaktojë Ministria e Drejtësisë përmes nxjerrjes së ndonjë ligji apo ndryshim të ligjit ekzistues. Pa asnjë dyshim është iniciativë e qëlluar, por duhet të gjendet modulet që mos të ndërhyhet në pavarësinë e gjykatës”.

Skender Musa

Kritika për punën e Speciales, pas vizitës që i kishte bërë krerëve të UÇK-së në Hagë, kishte edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai pati thënë se mënyra si po funksion Gjykata Speciale karakterizohet me defekte të shumta.

Sipas tij, prokuroria si organ i ndjekjes e ka bërë një aktakuzë, e cila nuk niset nga principi individual i krimeve të supozuara.

“Pra, unë isha atje dhe prej një vështrimi e kam krijuar përshtypjen si është e Kosovës ajo gjykatë, ajo nuk është hiç e Kosovës. Si është e Kosovës, në çfarë mënyre është e lidhur me vullnetin e popullit?”, kishte thënë ai.

Prandaj, ai pati theksuar se “duhet të ketë mekanizma të llogaridhënies, ose të drejtësisë”.

“Problemi është që ka defekte elementare brenda gjitha shkallëve. Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të kërkohen gjithmonë, jo bërë ta zhbërë këtë gjykatë, nuk e thonë as ata vet që janë të akuzuar, këtë gjykatë vetëm ta bëjmë më funksionale”, shtoi ai.

Blakaj: Mekanizimi e cenon pavarësinë e gjyqësorit

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, pohon se gjyqësori është i pavarur dhe nuk mund të krijohet asnjë mekanizëm që mund të mbikëqyrë gjyqësorin.

“Kjo do paraqiste presedan të rrezikshëm që do e cenonte pavarësinë e gjyqësorit”, deklaroi shkurt për AP Blakaj.

Në anën tjetër, avokati Artan Çerkini, mendon se kjo çështje duhet të diskutohet me sponzorizuesit ndërkombëtarë te Gjykatës Speciale.

“Nëse duhet te jete mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë duhet te arrihet marrëveshje me partneret ndërkombëtarë, sepse Kosova si e vetme nuk mund të ndërtojë mekanizëm ndërkombëtarë, por vetëm vendore”.

Përkundër kritikave për punën e Gjykatës Speciale, më 29 qershor, kryetarja Ekaterina Trendafilova, në një intervistë për AP, deklaroi se e vërteta e numrave flet ndryshe.

“Në fakt, sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se, pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët”.

Por, Trendafilova deklaron se, përkundër që Specialja nuk është krijuar të jetë popullore, ajo vetë dhe në përgjithësi struktura e kësaj Gjykate “mbetet e përkushtuar që të sigurojë se informacionet rreth punës dhe mandatit të saj të jenë të shpërndara në mënyrë transparente dhe në mënyrë efikase te publiku në Kosovë dhe më gjerë në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore