Lajme

Konjufca pas kthimit nga Haga: I takova që të gjithë, Specialja ka nevojë për një mekanizëm kontrolli


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas kthimit nga Haga, ku vizitoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjenden në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në një prononcim për media, ka njoftuar se ai ka arritur të takohet me të gjithë të burgosurit përfshirë edhe Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët sipas tij kanë qenë shumë mirë me shëndet.

“Vizitova Thaçin, Veselin, Krasniqi, Selimin dhe po ashtu Gucatin, Haradinaj dhe Shalën. Siç e dini për Salih Mustafën është një proces më i ndërlikuar, ai ka qenë në një izolim deri para një muaji. Të gjithë që i pash janë shumë mirë me shëndet, kanë vullnet dhe janë të qëndrueshëm. Shqetësimi i tyre është që po pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura, për të cilat nuk ka asnjë mekanizëm të ankesës”, ka thënë ai.

Për Konjufcën Gjykata Speciale, është një gjykatë “sui generis” e cila nuk haset askund në botë.

“Ishte një vizitë e rëndësishme dhe e domosdoshme sipas mendimit tim sepse Kuvendi i Kosovës ka qenë themelues i Gjykatës Speciale. Është një gjykatë e veçantë të cilën ne atë kohë e kemi kundërshtuar, është një gjykatë e themeluar për krimet e pretenduara të UÇK-së, është një defekt i madh të cilën e kemi kundërshtuar dhe kritikuar vazhdimisht”, ka shtuar ai.

Sipas Konjufcës, gjykata në fjalë është absolutiste dhe nën kontroll të askujt, dhe rrjedhimisht të gjithë janë të pakënaqur lidhje me procesin gjyqësor.

“Në këtë kuptim, ata janë të pakënaqur, siç është dhe populli i Kosovës, për aktakuzat që po rëndojnë mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së, të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. Ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit, ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont, bashkësia ndërkombëtare nuk po themelon këtë mekanizëm të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale, Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari gjykata speciale”, ka thënë Konjufca”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore