Lajme

Mehaj kërkon që Kosova të anëtarësohet sa më parë në NATO


Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se është nevojë e menjëhershme e Kosovës që sa më parë që të jetë e mundshme të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike.

Duke iu referuar realitetit të krijuar pas agresionit rus në Ukrainë, Mehaj u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendeve aleate dhe partnere, që të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kemi dëshmuar dhe konfirmojmë qëndrimin dhe vendosmërinë e fuqishme që jemi luftëtarë të denjë në mbrojtje të vlerave euroatlantike të lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera mbi të cilat qëndron NATO dhe misioni i saj”, shkroi Mehaj në Facebook.

Mehaj u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të NATO-s të cilët deri më tani kanë hezituar të njohin dhe pranojnë Kosovën që të mos ngurrojnë më.

“Kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të mos përjashtojnë askënd në vizionin e përbashkët dhe para së keqes së përbashkët”.

“Gjithashtu, është koha të ripërsëris edhe tani, kërkesën time adresuar aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garancë e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”, vazhdoi ministri kosovar i mbrojtjes.

Mehaj tha se Kosova është në dijeni të plotë të sfidave që e presin para, për kërcënimet dhe rreziqet potenciale.

“Andaj të veprojmë sot që të parandalojmë kundër të keqes së paparashikueshme për rajonin , kontinentin dhe globin edhe nga kjo anë”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore