Lajme

Shkon mbi 12,000 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri


Lajmi është i përditësuar

Numri i të vdekurve nga një tërmet masiv që goditi Turqinë dhe Sirinë ka arritur në mbi 12,000.

Kjo, ndërsa ekipet u përpoqën për të shpëtuar të mbijetuarit e bllokuar nën mbeturinat në mot të ftohtë.

Zyrtarët dhe mjekët thanë se 9 mijë e 57 njerëz kishin vdekur në Turqi dhe 2 mijë e 992 në Siri nga lëkundjet e së hënës me magnitudë 7.8, duke e çuar totalin në 12 mijë e 49.

Turqia, ndërkohët po punon për hapjen e dy korridoreve të tjera kufitare me Sirinë për të mundësuar fluksin e ndihmave humanitare për fqinjin e goditur nga tërmeti.

Mijëra ndërtesa u shembën dhe agjencitë e ndihmave janë veçanërisht të shqetësuara për Sirinë veriperëndimore, ku më shumë se 4 milionë njerëz tashmë po mbështeteshin te ndihma humanitare.

Kushtet e motit po rrezikojnë më tej të mbijetuarit dhe ndërlikojnë përpjekjet e shpëtimit, pasi më shumë se 100 pasgoditje kanë goditur rajonin.

Prej dy ditësh, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar pa lodhje për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënojat e qyteteve thuajse të rrafshuara, por më së shumti, ata të cilët janë gjetur, kanë qenë trupat e vdekur të njerëzve, për të cilët ka frikë të madhe se mund të jenë edhe më të shumtë.

Në shifra zyrtare, më shumë se 50 mijë persona janë plagosur në Turqi, kur të prekur, në bazë të raportimeve nga organizata jo-qeveritare, mendohet se mund të jenë mbi 20 milionë njerëz.

Procesi i evakuimit po ndodh në kushte të rënda të motit, pasi stuhitë e përhershme të dëborës janë shtuar.

Më pesimistët ndër ekspertët, mendojnë se bilanci tragjik, mundet deri të trefishohet.

Presidenti turk ka shpallur ndërkohë tre muaj gjendje të jashtëzakonshme, në 10 rajonet e goditura nga tërmeti.

Sa i përket ndihmave të para, rreth 2 mijë e 600 personel (kërkim-shpëtimi dhe mjekësor) janë dërguar në Turqi nga 65 vende të botës, ku pjesë bën edhe Shqipëria, e cila ka çuar 53 personel dhe shtatë mjete për të ndihmuar në operacionet që po zhvillohen.

Ekipi shqiptar, me 53 personel kërkim-shpëtimi dhe mjekë e infermierë, ka nisur menjëherë punën në disa rajone, siç është bërë me dije nga vetë ministri i Mbrojtjes në Shqipëri.

Situata është disi më e vështirë në Siri, ku qytetarëve do t’u duhet t’i besojnë autoriteteve vendore më së shumti, parë edhe pozitën gjeopolitike në të cilën vendi ndodhet dhe mungesën e kontakteve diplomatike me shumicën e vendeve të botës.

Në Turqi ndërkohë, vetëm nga Stambolli, janë dërguar menjëherë 13 mijë personel i kërkim-shpëtimit, për të ndihmuar qytetarët e mbetur nën rrënoja, me shpresën se dikush është ende gjallë.

Tërmeti i parë goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Mes dhjetëra pasgoditjeve, një tepër e fuqishme ka goditur rreth mesditës, me një magnitudë 7.5 Rihter.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.

Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.

Në një mesazh të menjëhershëm pas ngjarjes, Erdogan ka premtuar ndihmë për çdo të prekur dhe ka kërkuar solidaritetin e gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Këta të fundit janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë dërguar grupe të posaçme shpëtimi drejt Turqisë.

Mbi 11 mijë viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri, kërkimet vazhdojnë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore