Lajme

Erdogan jep mesazhin e parë pas tërmetit shkatërrues


“Shpresojmë ta kalojmë sa më shpejt këtë fatkeqësi dhe të vijojmë punët që kemi nisur”.

Ka qenë ky mesazhi i parë i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi një tërmet shkatërrues i magnitudës 7.8 të shkallës Rihter, goditi në kufi me Sirinë.

Deri tani, raportohen mbi 500 viktima mes dy vendeve, ku 284 persona kanë mbetur të vrarë në Turqi dhe 237 të tjerë, në Siri.

Bilanci është ende paraprak dhe kërkimet vijojnë intensivisht për të mbijetuar.

Në postimin e tij në Twitter, Erdogan ka garantuar se të gjitha grupet e kërkim-shpëtimit janë drejtuar për nga zonat e prekura dhe po kryejnë punën për gjetjen e çdo trupi të ngecur nën rrënoja.

“Urimet e mia më të ndjera, ia dërgoj qytetarëve të prekur nga tërmeti. Do të bëjmë gjithçka për t’i ndihmuar”, e mbyll Erdogan mesazhin e tij.

Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.

Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore