Lajme

Mbahet seanca dëgjimore ndaj 3 të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademaj


Ilustrim

Këtë të diele, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, do të dalin tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademaj, ndër të cilët edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e saj.

Liridona Ademaj u vra me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës, në fshatin Sinidoll të Komunës së Prishtinës.

Rasti fillimisht u cilësua si vrasje gjatë një grabitje të armatosur.

Mirëpo, dy ditë më vonë, Policia e Kosovës, pas varrimit të së ndjerës, fillimisht arrestoi dorasin dhe bashkëshortin e saj Naim Murselin, si të dyshuar për vrasje, ndërsa më vonë, po atë ditë u arrestua edhe një tjetër i dyshuar, i cili rezultoi që të jetë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndërsa, bashkëshorti i Liridonës, gjatë intervistimit nga hetuesit, të premten, pranoi se e ka porositur vrasjen e gruas së tij.

Vrasjen e Liridona Ademaj e kanë dënuar të gjitha institucionet e Kosovës, shumë figura publike dhe e tërë shoqëria në përgjithësi, të cilët njëzëri kanë kërkuar që atyre që e kryen këtë akt mizor t’u jepet dënimi maksimal.

Lexo edhe këtë: Për një dekadë mbi 50 raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur krim monstruoz vrasjen e Ademajt.

Osmani ka kërkuar që autorët të marrin dënimin që pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.

“Femicidi është dëshmi rrëqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive”, ka shkruar Osmani në platformën sociale, Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Prandaj, sipas saj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”.

Në ditën kur të dyshuarit do të dalin para Gjykatës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se do të organizojë një aksion simbolik të dielën pranë Pallatit të Drejtësisë.

Pos kësaj, organizata në fjalë, të martën e 5 dhjetorit, duke filluar nga ora 18:00, në Prishtinë, përkatësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, kanë thirrur një protestë në mbrojtje të grave, kjo pas vrasjes së Liridona Ademaj.

Nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës në fjalë, derisa parulla e tyre do të jetë “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

“Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftim.

Thirrja për protestë

Nga ana tjetër, familja e Liridona Ademaj, kanë kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që t’u lejohet zhvarrimi i trupit të saj të dielën (5 dhjetor).

Kërkesa është bërë nga Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës. Kërkesa e familjes për zhvarrimin e trupit të Liridonës vjen pasi që ajo u varros të premten në fshatin Cermjan të Komunës së Gjakovës, nga ku vjen bashkëshorti i saj Murseli, mirëpo pasi i njëjti u arrestua si i përfshirë në vrasjen e saj, familjarët po kërkojnë që trupi i saj të zhvarroset nga aty.

Po ashtu, dy ditë pas vrasjes, dhe vetëm një ditë pasi që u kuptua se si ka ndodhur ngjarja, familjarët e Liridona Ademajt, kanë treguar dyshimet e tyre për atë se për çfarë u vra ajo.

Hajdar Ademaj, babai i Liridonës, dhe Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës, në daljet e tyre në media të shtunën kanë thënë se dyshojnë se ngjarja mund të jetë bërë shkaku i përfitimit nga sigurimi jetësor që Liridona ka në Suedi.

Rrëfimet e babait dhe vëllait të Liridonës: Dyshojmë se vrasja e saj u bë për t’ia marrë paratë e sigurimit në Suedi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore