Lajme

Rrëfimet e babait dhe vëllait të Liridonës: Dyshojmë se vrasja e saj u bë për t’ia marrë paratë e sigurimit në Suedi


Hajdar dhe Leonard Ademaj, babai dhe vellau i Liridones.

Dy ditë pas vrasjes, dhe vetëm një ditë pasi që u kuptua se si ka ndodhur ngjarja, familjarët e Liridona Ademajt – vrasjen e të cilës dyshohet se e organizoi burri i saj, Naim Murseli – kanë rrëfyer për ditën kritike, dhe për dyshimet e tyre se pse u vra ajo.

Cilat janë motivet që familjarët dyshojnë për këtë akt mizor?

Hajdar Ademaj, babai i Liridonës, të shtunën, duke folur për vrasjen e vajzës së saj, ka thënë se dyshon se ngjarja mund të jetë bërë shkaku i përfitimit nga sigurimi jetësor që Liridona ka në Suedi.

“E di që vajza ka qenë e siguruar atje ku ka qenë, pra në Suedi. Atje ka sigurim të madh. Po ta gjen ndonjë gjë, merrë para të mëdha”, tha babai i Liridonës për “News24”.

E, vazhdoi Ademaj, “unë veç qaty dyshoj se për me mbyt këtë, me ja marrë qatë sigurim, asgjë tjetër”. “Krejt katundi, e krejt farefisi e di se çfarë vajze kam pasur unë”, shtoi.

Ngjashëm si babai i Liridonës, dyshon edhe vëllai i saj, Leonard Ademaj.

“Çka mundem me ditë, e çka na shkon mendja është se Liridona ka pasur sigurime në Suedi. Sigurimi në Suedi paguan shuma marramendëse nëse i ndodhë një fatkeqësi njërit ose tjetrit prind”, tregoi dyshimet e tij Leonardi për televizionin publik.

Ose, shtoi ai, “mund me kon që ka mundur me mbet pa pare, me pas borxhe edhe me privuar nga jeta motrën tonë me ja marrë paret e sigurimit”.

Dyshimet e para të tyre

Familjarët e tyre kanë treguar edhe dyshimet e tyre të para për përfshirjen e Murselit në vrasjen e familjares së tyre.

Duke rrëfyer momentin kur mori vesh vrasjen e vajzës së tij dhe bisedën që kishte pasur me Naim Murselin, Hajdar Ademaj, fillimisht tha se kanë shkuar që ta gjejnë vajzën e tij, dhe tregoi se një ditë më pas “erdh Naimi te na qitu”, edhe, thekson ai, “e pyeta fort mirë”, por shton ai, “Naimi na kish pas pre në besë neve; dyshova se një parë fjalë mirë nuk m’i tha qetu kur e veta”.

“E pyeta: ‘Naim, qysh ke puna që m’u vra qika e ti pshtove me dy fëmijë tjerë? Qysh ke puna? Kallxom pak diçka!”.

“Nisi me më tregu. Tha ‘isha t’uj hec rrugës dhe më doli një njeri me pistoletë edhe më tha gruaja ndale se janë dalë hajnat. E nala kerrin’. E pyeta: ‘A doli kah ana jote a kah ana e qikës? Jo, më tha ‘ka ana jeme’”.

Pastaj, rrëfen babai i Liridonës, e ka pyetur Murselin se “qysh dole ti përjashta”, derisa thotë se ai i ka thënë se “Unë e çela derën teme dhe i kapa dhe dy fmitë?”

“I thash: ‘e ju la m’i kap fmitë e me ik ti teposhtë? E me mu vra mu qika në kerr? Qysh ke puna?’. Tha: ‘Ika nja 500-600 metra, 1 mijë metra. Kam hecë veç me fëmijë’. I thash: ‘A njeve far krismash?’. Tha: ‘po, i kam ni dikur krismat’”, rrëfeu ai.

Në këtë moment, Ademaj e ka pyetur se sa herë i ka dëgjuar krismat, mirëpo përgjigja e Mureslit, siç tregon ai, nuk ka treguar asgjë, pasi ka thënë se “nuk di as vet”.

“E pyeta prapë: ‘Po qiken qysh e le vet në kerr?’. Tha: ‘Jo, Liridonës ja lypën paret’. I thash: ‘E a ja dhatë ju paret atij?’. Më tha: ‘Po Liridona do ja dha, po nuk ja dha çantën”.

“E çka batë masanej”, thotë Ademaj ta ketë pyetur Murselin. “Më tha ‘jo unë nuk e di i mora fmitë e shkova teposhtë’”.

Eh, theksoi ai, “bash qitu unë e hetova që…po mund të jetë i përfshirë”.

Ndërsa, vëllai i Liridonës, Leonardi ka rrëfyer momentin se çfarë i kishte thënë Murseli, pas vrasjes të motrës së tij.

Ai ka treguar s enjë ditë pas vrasjes, Naim Murseli nuk e ka hapur telefonin, dhe se dyshimet e tjera, siç i shpreh ai, kanë lindur kur Murseli hezitonte ta shikonte trupin e gruas së tij.

“Edhe Naimin e kem marrë edhe shkuam me pa. Po tha  mundësinë me pa Liriodnën veç nëse keni probleme shëndetësore mos e këqyrni. Thash jo more unë jam rritë me të, dua me pa. Ai nuk dëshironte  me hi me pa. Aty filluan edhe dyshimet tjera. I tha djali i mixhës ec Naim se s’bon kështu ke jetu 13 vjet me të”, rrëfeu ai.

Ademaj shton se edhe që Murseli as nuk i ishte përgjigjur në telefonin, ndërsa e ka telefonuar me një numër të shoferit të tij dhe se thotë se kishte qenë në Swiss Diamons dhe se “ish kanë ulur, t’u hangër e t’u pi, kish pas porositë sende”.

“Kur shkova në mjekësinë ligjore i thanë ‘Naim dukatin e senet tjera me vlerë i ki mrena’. E ka pasur vetëm një plumb nga ana e veshit të djathtë. Ka pasur sigurime të nalta në Suedi; e ka pas për me ia marr paret e sigurimit”, deklaroi vëllau i të ndjerës.

Sipas tij, vrasja e Liridonës ka ndodhur brenda veturës.

Leonardi në rrëfimin e tij, ka treguar edhe atë se çfarë i kishin thënë nipat e tij, fëmijët e Liridonës për momentin e vrasjes të së ëmës së tyre.

“Mamin e harruam në veturë”, i kishin thënë fëmijët dajës së tyre.

“Atë ditë ka ndodhur krejt rasti. Djali e kish pas shtrënguar dorën shumë. Kur jam shkuar në polici mu ka ofruar më ka përqaf, dajë tha hajni mi ka lyp paret po unë s’ia kom dhënë e ka qel dorën i kish pas paret aty”, rrëfeu ai.

Ndryshe, të premten, një ditë pas vrasjes së Liridona Ademaj, bashkëshorti i saj, Naim Murseli, është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që dyshohet se ka porositur vrasjen e gruas së tij.

Për këtë rast tragjik, janë arrestuar 3 persona, përfshirë Murselin, derisa të tretë pritet që të dielën të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në departamentin për Krime të Rënda.

Ndërsa, të martën e 5 dhjetorit, duke filluar nga ora 18:00, në Prishtinë, përkatësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të organizohet një protestë në mbrojtje të grave, kjo pas vrasjes së Liridona Ademaj.

Për një dekadë mbi 50 raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore