Lajme

Për një dekadë mbi 50 raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët


Foto: Albanian Post.

Dyshimet e fundit për vrasjen e Liridona Ademaj në Prishtinë më 29 nëntor, nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, përmes një vrasësi me pagesë, përbën rastin e parë të kësaj natyre të ndodhur në Kosovë, por jo edhe të parin rast që një grua vritet nga bashkëshorti i saj.

Megjithatë, ky s’është rasti i parë ku një grua dyshohet se është vrarë nga familjarët.

Nga viti 2010 në Kosovë janë raportuar 51 gra të vrara nga bashkëshortët të tyre.

Rasti i fundit, është ky i 29 dhjetorit, ku fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës, deri në momentin kur si i dyshuar kryesor nga institucionet rezultoi të jetë bashkëshorti i saj.

Para këtij rasti ishte vrasja më 30 nëntor në 2022, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Edhe në këtë rast i dyshuari kryesor për vrasjen ishte bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.

Në vitin 2021 edhe Sadije Godeni, u vra nga bashkëshorti i saj Izet Godani, i cili më pas u dorëzua në Policinë e Kosovës.

Më 30 maj të vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Ai është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 vjetësh.

Lirie Qerimaj, po ashtu ishte vrarë në vitin 2022, fajtori për vrasjen po ashtu ishte bashkëshorti i saj, Skender Qerimaj.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte konfirmuar në maj të 2022-së se ka ngritur aktakuzë kundër tij në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe se ai u shpall fajtor për vrasje.

Me 1 janar të 2022-së, ai ishte liruar në procedurë të rregullt, mirëpo pas këtij procesi nga organet e rendit nuk ishin dhënë detaje.

Një tjetër viktimë ishte edhe Marigona Osmani e cila u vra nga partneri i saj Dardan Krivaqa dhe shoku i tij, Arbër Sejdiu.

Krivaqa, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Sejdiu me 15 vjet burgim.

Sebahate Morina Sopi u vra në vitin 2021 dh i dyshuari për vrasje ishte bashkëshorti i saj, Lulëzim Sopi, i cili më pas u vetëvra.

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, vrasësit e Marigona Osmanit.

Ndërsa, Sabile Mavrovqani, po ashtu u vra në vitin 2020. I dënuari për vrasje të saj është bashkëshorti Nuhi Mavrovqani.

Rasti i të cilit pas dënimit fillestar me burgim të përjetshëm, u kthye në rigjykim.

Pas këtij procesi, ai u dënua me 25 vjet burgim.

E vrarë nga bashkëshorti i saj, Bajram Velijaj, përfundoi edhe Armenda Aliu në vitin 2019.

Gjykata Themelore në Prizren, fillimisht kishte shqiptuar dënim të përjetshëm ndaj ti, por pas ankesës së palës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2022, i shqiptoi dënimin prej 25 vjetësh burgim.

Përveç Valbona Ndrecaj, që përfundoi e vrarë nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj, e vrarë përfundoi edhe vajza e saj në vitin 2018.

Gjykimi i Nuhi Mavrovqanit.

Pjetër Ndrecaj, fillimisht, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa më pas dënimi iu zvogëlua në 30 vjet burgim.

Nga Gjykata Themelore në Gjakovë, ishin arsyetuar se dënimi është ulur pas ankesave të palës mbrojtëse në dhjetor të vitit 2020.

Në dënimin prej 30 vjetësh i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej gushtit të vitit 2018.

Një rast tjetër i vrasjes ishte edhe Donjeta Pajazitaj, e cila ishte vrarë nga kushëriri i saj Naser Pajazitaj, në vitin 2015.

Sipas aktakuzës, Naser Pajazitaj, “në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta” vrau Pajazitajn, duke shtënë me armë zjarri dy herë në kokë.

Gjykata Themelore në Pejë, fillimisht, e liroi të pandehurin nga aktakuza.

Pas dërgimit të rastit në rigjykim, ai u dënua me burgim të përjetshëm.

Por, pas shqyrtimit të ankesës nga pala mbrojtëse, Gjykata e Apelit mori vendim që ta ulë dënimin në 35 vjet burgim.

Foto: Albanian Post.

Rasti vazhdoi në Gjykatën Supreme.

Kolegji penal i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 6 prill 2023, e liroi atë nga aktakuza për vrasje.

Pas kësaj, ai është liruar nga burgu.

Viktima e radhës e dhunës në familje, e vrarë nga bashkëshorti i saj në vitin 2015 ishte Zejnepe Berisha, i dënuar për vrasje është bashkëshorti i saj Nebih Berisha.

Gjykata Themelore në Prizren e dënoi atë me 12 vjet e gjashtë muaj burgim në prill të vitit 2017.

Bashkëshorti akuzohej se, për arsye xhelozie, e vrau bashkëshorten e tij duke e therur 21 herë me thikë.

Pas kalimit të rastit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e rriti dënimin e tij në 17 vjet burgim.

Diana Kastrati, u vra në vitin 2011 nga bashkëshorti i saj Adnan Jashari – i cili vazhdon të ndodhet në arrati.

Sipas disa të dhënave nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, që ishin publikuar më herët, i dyshuari A.J. gjendet në Spanjë, vend me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Për rastin vazhdon një proces i gjatë gjyqësor, pasi Gjykata Kushtetuese vërtetoi se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për moslëshimin e urdhrit mbrojtës, të cilin e ndjera e kishte kërkuar përpara se të vritej.

Prindërit e Diana Kastratit paditën Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore dhe Republikën e Kosovës dhe kërkuan kompensim për vrasjen.

Antigona Morina, përfundoi po ashtu e vdekur në 2011 e cila vdiq nga hemorragjia e vazhdueshme, tri ditë pasi u martua, derisa bashkëshorti, sipas konstatimeve të drejtësisë, nuk i ofroi ndihmë mjekësore.

Gjykata Themelore në Gjakovë në dhjetor të vitit 2021 konfirmoi se i pandehuri H.Z. u dënua me dy vjet burgim për veprën penale: shkelje e detyrimeve familjare.

Organizatat që merren me të drejtat e grave, e fusin Morinën në listën e grave të vrara në Kosovë.

Për të gjitha këto raste u kërkua dënim maksimal, ndonëse në numrin më të madh prej tyre ky dënim nuk u vendos.

Ngjashëm po kërkohet edhe për rastin e fundit, ku bashkëshorti pagoi persona të tjerë për të kryer vrasjen e bashkëshortes së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore