Lajme

Maqedonia e Veriut voton, në zgjedhjet më të rëndësishme të dekadës


Ilustrim

Pas zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, këtë të mërkurë, për të dytën herë me radhë do t’i drejtohen kutive të votimit për dy palë zgjedhje – rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të kenë mundësi të votojnë njërin nga dy kampet shqiptare Frontin Evropian – i përbërë nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Popullit, Partia Demokratike Evropiane dhe partitë e minoriteteve – ose koalicionin VLEN – i përbërë nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit).

Gjatë fushatës dyjavore janë ngritur tonet nacionaliste sidomos nga VMRO-DPMNE me cak komunitetin shqiptar, konkretisht Frontin Evropian.

Madje kandidatja për presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkovka, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, propozoi krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së – në mes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me komandat suprem Ali Ahmetin, dhe forcave policore e ushtarake maqedonase.

Ndërkohë opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut është shprehur e gatshme të hyjë në koalicion me VMRO-DPMNE për formimin e Qeverisë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, më 6 maj, vizitoi shtabin e opozitës shqiptare në Shkup për të promovuar koalicionin e ri qeveritar.

Ndërsa disa orë më vonë lideri i VLEN-it, Arben Taravari, tha se për Qeverinë e re tashmë është rënë dakord.

Në anën tjetër kreu i BDI-së, Ali Ahmeti potencoi se Qeveria formohet nga partitë fituese të zgjedhjeve në kampin shqiptar dhe maqedonas.

Fronti Evropian si kusht për formimin e Qeverisë – me shumë gjasa me VMRO-DPMNE pasi sipas sondazheve ajo pritet të korrë fitore të thellë – ka ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj.

Ajo çfarë ka karakterizuar fushatën zgjedhore ka qenë përfshirja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut duke dhënë mbështetje të hapur koalicioni VLEN dhe rrjedhimisht duke u barrikaduar kundër Frontit Evropian.

Lidhur me këtë interferim ka pasur reagime të shumta, ku edhe Ahmeti ka deklaruar se ndërhyrja e Kurtit nuk i bënë mirë Kosovës, posaçërisht në aspektin e proceseve integruese.

Të mërkurën, në garë për Presidencë janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE që fitoi 363 mijë vota dhe presidenti aktual nga radhët e LSDM, Stevo Pendarovski, me 180 mijë vota.

Nga kandidatët shqiptarë, më shumë vota në rundin e parë mori Bujar Osmani nga Fronti Evropian gjithsej 120 mijë vota. Ndërsa, Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, mori 83 mijë vota.

Fronti Evropian nuk ka dalë publikisht me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat apo do të bëjë ftesë për bojkot.

Edhe nga koalicioni VLEN nuk kanë bërë thirrje për dalje në votime për zgjedhjen e presidentit.

Dilema mbetet nëse të mërkurën do të arrihet të zgjidhet presidenti i shtetit, pasi ka një prag zgjedhor prej 40 për qind të daljes në votime.

Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve, më 24 prill, kur në garë ishin shtatë kandidatë, në zgjedhje dolën rreth 49 për qind e 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore