Lajme

Konflikti në Meksikë po zhvendos mijëra njerëz


Në Coahuayana – “qyteti i bananave” – që ndodhet në bregun e Paqësorit, ku jetojnë rreth 1 mijë meksikanë të çrrënjosur nga komunitetet e tyre, grupet kriminale luftojnë për kontrollin mbi territorin meksikan. Të zhvendosurit po bëhen gjithnjë e më të dukshëm, në qytete të tilla në kufi me SHBA.

Rreth 20 mijë njerëz janë arratisur nga dhuna gjatë vitit të kaluar në shtetin Michoacán, afërsisht sa madhësia e Virginia-s Perëndimore. Mijëra të tjerë kanë braktisur shtëpitë e tyre, në shtete të tjera si Zacatecas dhe Guerrero.

Zhvendosja e detyruar, në përgjithësi, lidhet me konfliktin e armatosur – ka qenë një tipar i pushtimit rus të Ukrainës.

Megjithatë, është bërë një problem i tillë në Meksikën gjoja paqësore që Senati i vendit po shqyrton legjislacionin për të ofruar ndihmë humanitare për viktimat.

Si duket lufta e Meksikës?

Në rajonin Tierra Caliente të Michoacan, një nga më të dhunshmet e vendit, shtëpitë janë të mbushura me vrima plumbash.

Dronët lëshojnë bomba që hapin vrima në çati. Karteli Jalisco ka vendosur mina tokësore.

Zyrtarët e sigurisë e përshkruajnë konfliktin si një betejë midis Jalisco-s dhe një rrjeti rival karteli për të kontrolluar rajonin, një qendër e prodhimit të marijuanës dhe metamfetaminës.

Por rrëfimet e të zhvendosurve nënvizojnë se sa jokonvencionale është në të vërtetë kjo luftë. Në lojë nuk janë vetëm rrugët e drogës, por druri, mineralet dhe plantacionet e frutave.

Në shumë raste, grupet e armatosura kanë lidhje me qeveritë lokale, grupet e biznesit dhe policinë.

Droga nuk ishte asgjë e re – për vite me radhë, marijuana kishte lulëzuar në tokën e pasur të Michoacan-it. Por biznesi i paligjshëm filloi të ndryshojë në vitet 1990, pasi kontrolli i sistemit njëpartiak të Meksikës u zbeh. Trafikantët e drogës u bënë më të organizuar dhe më të armatosur. Ata u degëzuan në kokainë dhe metamfetamina. Më pas filluan të zhvasnin para nga meksikanët e zakonshëm.

Duke filluar nga viti 2013, mijëra banorë të Michoacan formuan milicitë qytetare, duke dëbuar kartelin brutal të Kalorësve Templarë.

Héctor Zepeda – “Comandante Teto” – është ligji në Coahuayana dhe një simbol i mënyrës sesi janë shembur marrëveshjet e vjetra të sigurisë në Meksikë.

Për shumë nga të zhvendosurit, komandanti Teto është një hero. Ai u ka gjetur shtëpi dhe u ka dhënë punë me forcën e tij. Mbi të gjitha, komandanti Teto ka sjellë sigurinë në qytet.

Megjithatë është një paqe e brishtë. Personat e armatosur të kartelit Jalisco janë aq afër, saqë kur forcat e “vetëmbrojtjes” patrullojnë perimetrin e qytetit, mund të dëgjojnë zërat e armiqve të tyre që kërcasin në radio.

Banorët e vjetër pajtohen se forcat e “vetëmbrojtjes” i dhanë fund një periudhe të tmerrshme grabitjeje dhe vrasjesh nën Kalorësit Templarë. Por vërtiten pyetjet rreth asaj se çfarë roli ka luajtur forca e komandant Teto-s në murtajën e pafundme të abuzimit me metamfetaminën e Coahuayana-s. Teto thotë se ka goditur shitjen e drogës.

Aktivistët emigrantë kanë vënë re një numër në rritje të meksikanëve që mbërrijnë në kufi. Ndërsa disa duan punë ose të bashkohen me familjen në Shtetet e Bashkuara, shumë po ikin nga sundimi i ashpër i bandave kriminale.

Që prej janarit, autoritetet dërguan më shumë se 3 mijë trupa të ushtrisë dhe gardës kombëtare në Michoacán për të “çliruar” qytetet e kontrolluara nga grupet e krimit të organizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore