Shqipëria

Lidhja e Gruas – Molla e radhës e sherrit mes demokratëve


Me shpalljen e garës për kryetare të Lidhjes Demokratike të Gruas nga ana e kreut të bluve, Lulzim Basha, “molla e radhës” e sherrit mes eksponentëve të lartë të kësaj partie, është shkëputur nga pema e gjerë e diskutimeve të brendshme.

Kryetarja aktuale që prej vitit 2009, Albana Vokshi, vendimin e quajti arbitrar, uzurpues dhe të bërë në mënyrë qesharake në telefon.

Kështu, Vokshi, jo për të parën herë, doli kundër vendimit të kryetarit Basha.

Albana Vokshi, kryetare e Lidhjes Demokrate të Gruas

Mirëpo, në kundërpërgjigje ndaj saj, është deputetja e PD-së, Orjola Pampuri, e cila nuk sheh asgjë antidemokratike në vendimin e Bashës.

Përkundrazi, vendimi i kryedemokratit, është një lajm i mirë për LDG-në sipas saj.

“Zgjedhja e kryetares së LDG-së me parimin “një anëtar, një votë” është një lajm i mirë për të gjitha gratë dhe vajzat demokrate, që besojnë tek PD dhe duan të japin kontributin e tyre”, shkruan ajo në Facebook.

Ndërsa mbi vetë Vokshin, Pampuri akuzon se ajo duhet ta kishte përfunduar prej tetë vjetësh mandatin. Ndaj, mbi drejtimin e grave në PD, asnjë nuk mund ta cilësojë veten legjitime.

“Shumë pak e dinë, por LDG nuk ka pasur në 12 vjet asnjë strukturë përveç Kryetares me mandat të skaduar. Zonja Vokshi nuk e miratoi kurrë statutin e LDG, siç e urdhëron Statuti i Partisë, nuk hapi kurrë garë për asnjë strukturë drejtuese të Lidhjes”, vijon ajo retorikën e saj.

Orjola Pampuri, deputete e Partisë Demokratike

Sakaq, me një garë të hapur, pritet që të ndërmerren votime edhe për strukturën në përgjithësi.

Këtu përfshihen zgjedhje e një sekretareje të Përgjithshme, nënkryetare, kryesie dhe Këshilli Kombëtar.

Vijimi i procesit të brendshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar me “procesin brenda partisë”.

Pas vendimit për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë (LDGSH) do të hyjë në një proces zgjedhor.

Basha udhëzoi zhvillimin e zgjedhjeve për kryetaren e LDGSH-së, post i cili mbahet me emërim që prej vitit 2012. Zgjedhja e kryetares së LDGSH-së do të bëhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryedemokrati ka ngritur një grup të posaçëm për zgjedhjet në LDGSH, i cili përbëhet nga: Grida Duma, Arta Sakja, Dhurata Çupi, Orjola Pampuri, Greta Bardeli, Alfrida Marku, Ina Zhupa, Eralda Tase Bano, Zheni Gjergji dhe Ledina Aliolli.

Grupi i punës do të mbikëqyrë mbarëvajtjen e procesit për zgjedhjen e Kryetares dhe zgjedhjet. Po ashtu, për riorgarnizimin e të gjitha forumeve të tjera të LDGSH në qendër dhe në degë.

Në LDGSH mungojnë prej vitesh forume të tilla drejtuese si kryesia apo Këshilli Kombëtar i LDGSH-së. Deri tani kjo organizatë drejtohet nga deputetja e PD Albana Vokshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore