Shqipëria

Shtyhet mbledhja për fatin e kreut të KLP-së, Balla: Dua të dëgjohem


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shtyrë mbledhjen e thirrur në lidhje me vendimin sa i takon shkarkimit ose jo të kryetarit, Alfred Balla.

Disa nga anëtarët kërkuan kohë që të përgatisin relacionin me shkrim pasi sipas tyre, ky është një vendim tejet i rëndësishëm.

Mbledhja erdhi pas një vendimi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili vendosi nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vite, bazuar në procesin e vetting-ut.

Ajo u shoqërua me debate, ku pati ndarje në gati dy kampe.

Anëtari i KLP-së, Sokol Stojani, theksoi se vendimi i KPA-së është i formës së prerë dhe duhet ekzekutuar menjëherë.

Për të, Balla s’mund të qëndrojë më në detyrë.

“Sipas Kushtetutës, Balla duhet të lërë detyrën dhe e vetmja rrugë që ka është t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut”, deklaroi Stojani.

Nga ana tjetër, anëtarja Nurihan Seiti u shpreh në nisje të mbledhjes kundër shkarkimit të Ballës duke theksuar se ai është kryetar deri në momentin që vendimi futet në fletoren zyrtare.

Vetë Balla nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e kësaj për shkak të konfliktit të interesit.

Por mësohet se ai ka komunikuar me kolegët e tij të KLP-së me dy emaile.

Në njërën ai kërkon që të shtyhet dhe të respektohet e drejta kushtetuese për t’u dëgjuar e mbrojtur.

“E drejtë kjo që detyron Këshillin si organ kushtetues të analizojë dhe vlerësojë të gjitha pretendimet ligjore, qoftë duke marrë edhe mendimin e Kuvendit, apo ekspertëve të të drejtës kushtetuese”.

Në tjetrën ai kërkon përjashtimin e Tartarit për drejtimin e mbledhjes së sotme.

Balla, KLP-në e drejton që nga përfundimi i mandatit të Gent Ibrahimit, pasi ai më parë mbante funksionin e nënkryetarit të Këshillit. Gjithsesi, edhe atij i ka përfunduar mandati, por po qëndron në detyrë deri në çastin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj, nga radhët e shoqërisë civile

Vetë Balla, pas përjashtimit, nuk e ka pranuar vendimin, duke u përgjigjur me tone të ashpra se ai do ta çojë çështjen në Gjykatën e Strasbourg-ut.

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vettingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua”, shkroi Balla pas përjashtimit.

KPA ka vendosur largimin e Ballës nga sistemi i drejtësisë, duke i hequr të drejtën për të ushtruar funksione për 15 vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër KPA tha se trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së.

Balla u zgjodh në krye të KLP-së, si kandidat i propozuar nga shoqëria civile.

Përpara kësaj detyre ai punoi si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe sipas legjislacionit duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut.

Aosokohe, trupa e vettingut vlerësoi se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit, pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.

Kështu, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e vettingut për Ballën, duke rikthyer në vëmendje se kreu i KLP-së nuk gëzon statusin e magjistratit.

Në përfundim të mandatit, Alfred Balla kërkonte që të ushtronte funksionin në një prej prokurorive të Apelit, por sipas Komisionerit Publik, atij i duhej hequr e drejta për 15 vite te ardhshme për të ushtruar funksione në sistemin e drejtësisë.

Kjo pasi nuk gëzon statusin e magjistratit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore