Lajme

Lavrov: Tensionet në Kosovë mund të shkaktojnë “një shpërthim të madh” në Evropë


Sergey Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, ka thënë se situata të Kosovë “është alarmante”, dhe ka pretenduar se “një shpërthim i madh mund të ndodhë në qendër të Evropës”.

Lavrov, siç pritej për situatën e krijuar në Kosovë – ku protestuesit e dhunshëm serbë, kryesisht në qytetin e Zveçanit, kanë sulmuar trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, duke lënë të lënduar 41 prej tyre – ka akuzuar vendet e Perëndimit.

“Ata kanë shkelur të gjitha parimet e Kartës së Helsinkit dhe dokumentet e tjera të OSBE-së. Situata është alarmante, por Perëndimi ka nisur rrugën e nënshtrimit total të kujtdo që shpreh mendimin e tij në çfarëdo mënyre”, ka thënë Lavrov para gazetarëve.

Ndryshe, 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani shihet një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan.

“SHBA-të dënojnë fuqishëm aksionet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivit, kundrejt trupave të NATO-s”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Njëjtë si Hovenier ka reaguar edhe homologu i tij britanik, Nicholas Abbott.

“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Ashtu siç QUINT-i e ka bërë krejtësisht të qartë, aksionet duhet të merren menjëherë për të de-eskaluar dhe reduktuar tensionin”.

Pasditen e kësaj të hëne, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Në një video që është publikuar në mediat serbe shihen protestuesit teksa përleshen më ushtarët e KFOR-it.

Ndërsa një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it, derisa kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.

Më herët ishin shpërndarë edhe protestuesit serbë që ishin mbledhur që nga orët e para të mëngjesit të së hënës para ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut.

Po ashtu KFOR-i, bëri të ditur se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve atje ku serbët kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, ka kërkuar nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore