Kosova

Kurtit s’i ndalen telefonatat nga Amerika, bisedon me tre senatorë për Veriun


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurrti, ka biseduar përmes telefonit me tre senatorë amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, për situatën e krijuar në Veri të Kosovës.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Kurti me senatorët amerikanë biseduan për situatën në vend dhe zhvillimet pas zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës”.

“Kryeministri theksoi se kishim një proces zgjedhor të njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të mund të punojnë në vendet e tyre të punës”.

Aty thuhet se përshkallëzimit të situatës të hënën, ku u sulmua Policia e Kosovës, u lënduan ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, “i ka kontribuar turma e dhunshme”.

“Njerëz të armatosur e të dhunshëm, pjesëtarë të grupeve kriminale të dirigjuar nga Serbia, të cilët kanë interes pikërisht destabilizimin”.

Ndërkaq, bëhet e ditur se kryeministri i falënderoi senatorët për telefonatën dhe “për zërin e angazhimin e tyre në senat në mbështetje të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Kryeministri i siguroi senatorët, që është plotësisht i angazhuar për qetësim të situatës dhe se rruga përpara është respektimi i proceseve kushtetuese e ligjore, dialogu dhe zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe aneksit të saj në Ohër”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një cicërime në “Twitter”, njoftoi se të enjten ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me Jon Finer, zëvendësin e Jake Sullivan, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës.

“E falënderova për telefonatën e tij dhe u angazhova për të punuar me SHBA-të për të ulur tensionet. Kjo kërkon një fund të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër oficerëve të sigurisë  deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, shkroi Kurti.

Kurtin e thërret në telefon edhe zv/këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Biden, “zgjedhje të reja”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore