Lajme

Kurti pret dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters


Dy senatorët amerikan Chris Murphy dhe Gary Peters po qëndrojnë në Kosovë.

Ata, do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Sipas njoftimit për medie nga zyra e kryeministrisë, takimi pritet të mbahet në mesditë, në ora 15:00, ndërsa pas takimit, senatorët dhe kryeministri do t’u drejtohen gazetarëve në një konferencë për medie.

Vizita e senatorëve amerikanë në rajonin e Ballkanit Perëndimor bëhet me qëllim për të përcjellur mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për aleatët e saj në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe implikimeve për sigurinë evropiane në rajon.

Për Murphyn, kjo është vizita e tij e katërt në Kosovë.

Ai qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë edhe vitin e kaluar, më 21 prill.

Atë kohë, në një konferencë për medie, ai kishte thënë se “koha që Kosova të anëtarësohet në NATO, është tani”, pasi që sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po investojnë kaq shumë për sigurinë e Evropës, Ballkanit e në veçanti të Kosovës, pasi që sipas tij në Ballkan askush tjetër nuk ishte më shumë përkrahës ndaj sanksioneve të Rusisë, sesa Kosova.

”Në diskutimet tona folëm për interesat e përbashkëta si dhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe tash është më urgjente se kurrë, që shtetet si Kosova që janë më në periferi të gëzojnë mbrojtje”, kishte thënë Murphy, por një vit e një muaj pas këtij takimi, nuk ka lëvizur gjë në këtë drejtim.

Ndërkaq në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ishte shprehur se Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe e plotësuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, nuk është pa rrezik politik, por se ai vlerëson se një gjë e tillë duhet të shtyhet përpara.

Ndërsa me senatorin Gary Peters, kryeministri Kurti së fundi ishte takuar në SHBA, në kuadër të vizitës zyrtare që bëri atje më 17 maj të vitit 2022.

Së fundi më 18 maj 2023, në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më saktë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë, është zhvilluar një seancë dëgjimore me temën “Vlerësimi i Politikës së ShBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, senatori Murphy tha se akoma nuk ka parë shumë progres, as nga Kosova as nga Serbia, sa i përket zbatimit të angazhimeve të marra në kuadër të dialogut.

Në këtë seancë kanë raportuar këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore