Lajme

Senatori Amerikan Murphy: Marrëveshja Kosovë – Serbi s’është pa rrezik politik, por është rrezik që ia vlen


Chris Murphy

Senatori Amerikan Chris Murphy, në një intervistë me Zërin e Amerikës është shprehur se Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe e plotësuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, nuk është pa rrezik politik, por se ai vlerëson se një gjë e tillë duhet të shtyhet përpara.

“Marrëveshja nuk është pa rrezik politik, por mendoj se është një rrezik që ia vlen të ndërmerret. Unë besoj se të dyja palët janë serioze për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe mendoj se mund të jetë gurthemel për punën e vazhdueshme për t’u siguruar që secili vend të njohë dhe respektojë qytetarët e vendit tjetër dhe të drejtën e secilit komb për t’u bashkuar me institucionet ndërkombëtare për t’u bërë anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare”, tha Murfy.

Ndërkaq, ai potencoi se Ballkani është një vend shumë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe gjithashtu përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për progresin e bërë në raportet në mes të dy shteteve.

“Mendoj se është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kam kaluar shumë kohë në Ballkan. Unë mendoj se është një rajon tepër i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Është një rajon ku nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë. Kam kaluar shumë kohë me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiçin dhe të dy kanë bërë, mendoj, lëvizje shumë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha ai.

I pyetur për pasojat eventuale për Kosovën dhe Serbinë në rast të mos zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ai nënvizoi se nuk do të paraqesim pasoja, por vlerësoi se është në interes të dyja shteteve zbatimi i saj.

“Nuk mendoj se është një politikë e mirë për fuqitë ose entitetet e jashtme që t’i detyrojnë vendet të bëjnë diçka që nuk duan ta bëjnë ose mendojnë se nuk është në interesin e tyre më të mirë. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një çështje që Shtetet e Bashkuara ofrojnë stimuj dhe pasoja”.

Ndërkaq, senatori amerikan shtoi se shteti që ai përfaqëson dhe vendet e tjera që janë të angazhuar në këtë proces “duhet të punojmë me udhëheqësit dhe grupet elektorale në Kosovë dhe Serbi për t’i bindur ata të bëjnë atë që është e drejtë për vendet e tyre”.

“Njohja e ndërsjellë është e drejtë dhe është pozitive si për të ardhmen politike ashtu edhe për atë ekonomike të të dyja vendeve”, tha senatori amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore