Lajme

Senatori Murphy: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është urgjencë


Senatori Chris Murphy dhe Kryeministri Albin Kurti

Pas takimit të delegacionit të senatit amerikan me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, njëri nga përfaqësuesit e delegacionit, senatori Chris Murphy, ka nënvizuar faktin se koha që Kosova të anëtarësohet në NATO, është tani.

Sipas tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës po investojnë kaq shumë për sigurinë e Evropës, Ballkanit e në veçanti të Kosovës, pasi që sipas tij në Ballkan askush tjetër nuk ishte më shumë përkrahës ndaj sanksioneve të Rusisë, sesa Kosova.

”Në diskutimet tona folëm për interesat e përbashkëta si dhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe tash është më urgjente se kurrë, që shtetet si Kosova që janë më në periferi të gëzojnë mbrojtje”.

Më tutje, senatori Murphy tha se i vjen mirë që Kosova ka pasur përparim në zhvillimin ekonomik dhe në luftimin e korrupsionit.

“Kjo është vizita ime e tretë në Prishtinë dhe më vjen mirë që po dëgjojë për zhvillimin ekonomik të vazhdueshëm në Kosovë dhe që jeni të fokusuar në luftimin e korrupsionit dhe përparimin që e keni arritur. E kemi filluar vizitën tonë në kampin Bondsteel dhe siç e dini SHBA-të vazhdojnë që të kenë një përkushtim të madh për sigurinë në Kosovë”, ka thënë ai.

Albin Kurti

Në anën tjetër Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij, ka thënë se përveç kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në NATO, është diskutuar edhe rëndësia e rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mbrojtje e siguri ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Në takimin tonë të përbashkët kam theksuar se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore në Ukrainë. E riktheksojmë solidaritetin për popullin e Ukrainës, lidershipin politik të tij dhe qëndrueshmërinë dhe luftën çlirimtare që po bëjnë. Në këtë kontekst Kosova e ka mbajtur anën e njëjtë me SHBA-në, shtetet anëtare të NATO-s dhe Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

Më tej, Kurti ka përmendur edhe renditjen e Kosovës sa i përket përparimit në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

”Kosova ka shënuar përparim në luftimin e krimit dhe korrupsionit për shkak se jemi rritur në 17 vende”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore