Lajme

Kurti: Për Strategjinë e Sigurisë jemi konsultuar edhe me ambasadorët e QUINT-it


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës propozimin për strategjinë e sigurisë së Kosovë për vitin 2022-2027.

Kryeministri, bëri të ditur se për këtë dokument është diskutuar edhe me vendet e QUINT-it.

”Ky dokument paraqet objektive strategjike që lidhet me elemente jetike për Kosovën“.

Ndërkaq, përmes fjalimit të tij theksoi se synimi strategjik i Kosovës për siguri mbetet anëtarësimi në NATO.

“Gjatë qeverisjes sonë i kemi dhënë vëmendje të veçantë institucioneve të sigurisë me politika të qarta dhe veprime konkrete karshi tyre. E kemi rritur buxhetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për 52 për qind, nga 63 milionë sa ishte në vitin e kaluar në rreth 102 milionë për vitin 2022”.

“Qeveria jonë ka ndarë buxhetin më të lartë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke e përafruar atë si shifër dhe duke e synuar natyrisht kriterin e vendeve të NATO-s, prej 2 për qind të brutot produktit vendor”, deklaroi Kurti.

Sipas kreut të ekzekutivit, me këtë buxhet është treguar seriozitet nga qeveria për sigurinë në vend.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti, shtoi se do të angazhohen edhe më shumë në “ngritjen e kapaciteteve”.

Teksa, ka përmendur edhe Fondin e Sigurisë përmes të cilit janë përshpejtuar disa procese në këtë drejtim.

“Nga foltorja, do të dëshiroja të falënderoja secilin që ka kontribuar në fondin e Sigurisë. Krahas rritjes së buxhetit për FSK-në dhe krijimin të fondit e sigurisë, kemi përshpejtuar blerjet ushtarake dhe blerjet e tjera që lidhen me fuqizimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe sigurisë, kemi krijuar linja të reja të furnizimit me sisteme të armatimit në mënyrë të drejtpërdrejt shtet me shtet duke shkurtuar kohën e furnizimit dhe duke ulur ndjeshëm koston financiare”.

Kurti, bëri thirrje për miratimin e strategjisë së sigurisë së Kosovës, pasi konsideron se bëhet unifikimi i politikave dhe qëndrimeve në siguri.

“Miratimi i strategjisë së sigurisë së Kosovës, u jep drejtim institucioneve tona në përpjekjet për unifikimin e politikave dhe qëndrimeve të cilat ndërlidhen me interesat shtetërore të sigurisë dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt e në paqe. Ashtu siç ka ditur që të çlirohet, e të pavarësohet Kosova ajo do të dijë edhe të do të rrijë vertikalisht si Republikë e Pavarur dhe Demokratike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore