Lajme

Kurti diskuton me Guerot për “pritjet” nga takimi me Vuçiçin në Bruksel


Albin Kurti dhe Oliver Guerot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka zhvilluar një takim në Prishtinë me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ndër të tjera ka biseduar për takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), më 14 shtator në Bruksel.

Në prag të këtij takimi që vjen pas atij të fundit më 2 maj, kreu i ekzekutivit kosovar dhe diplomati francez, sipas njoftimit të Zyrës për Komunikim Publik, kanë theksuar nevojën për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars).

“Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe për takimin e nesërm të nivelit të lartë në Bruksel, pritjet nga ai takim dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejt dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, palët kanë diskutuar edhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovës me ç’rast ambasadori Guerot i ka ofruar kryeministrit Kurti ndihmën dhe përvojën e Francës nga organizimi i këtyre lojërave në vitin 1993 për një organizim sa më të mirë të këtij eventi sportiv.

Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, ndërsa tensionimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe.

Liderët e insitucioneve të BE-së po presin që palët të kontribuojnë në krijimin e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që Kosova dhe Serbia kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të muajit mars në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore