Lajme

Kurti: Dëshmorët e UÇK-së vulosën angazhimin për liri


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, ndërsa përkujtoi dëshmorët e kombit shqiptar, deklaroi se dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) vulosën angazhimin për liri.

“Sivjet bëhen 25 vite nga çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999. Dëshmorët e UÇK-së përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit tonë. Ata janë dëshmorët më të freskët në kujtesën tonë kolektive për rrugën që kemi ndjekur deri te liria, andaj edhe përkujtimet e nderimet tona për dëshmorët, nisin prej tyre dhe mbarojnë me ta”, shkroi ai.

Në Shqipëri këtë të diele të 5 majit u shënua Dita e Dëshmorëve të Atdheut, andaj kryeministri Kurti theksoi se liria e fituar nga dëshmorët e kombit shqiptar është mundësi për vetëvendosje dhe përparim, derisa shtoi se jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjellen si mësime dhe frymëzime ndër breza.

“5 maji është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. Andaj sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në të gjitha etapat e së kaluarës sonë. Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim”, theksoi ai.

“Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët. Dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun. Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, lirinë dhe vendin”.

Ndërkohë, aktivitete dhe ceremoni të ndryshme për nder të Ditës së Dëshmorëve të Atdheut u organizuan në qytete të ndryshme të Shqipërisë. E ceremonia qendrore u organizua në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore