Lajme

Kryediplomati suedez kërkon nga Serbia të përmbushë obligimet e Marrëveshjes së Ohrit


Tobias Billstrom

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, në një konferencë për media së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kërkuar që Serbia të përmbushë të gjitha obligimet që burojnë nga Marrëveshja e dakordësuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryediplomati suedez përveç se ka uruar Vuçiç’in për arritjen e “marrëveshjes historike me Kosovën” ka kërkuar nga Beogradi të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian kur fjala bie për invazionin rus në Ukrainë.

“Pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi rrënjësisht sigurinë e Evropës. Ne presim që partnerët tanë të koordinohen me ne dhe të marrin përgjegjësi strategjike për sigurinë e përbashkët”, ka thënë Billstrom.

Billstom me tej ka bërë të ditur se Presidenca suedeze e BE-së e mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendë dhe se shtetet e rajonit janë partnerë thelbësorë të BE-së.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në po këtë konferencë, ka thënë se Serbia do të përmbushë pjesën e saj të obligimeve nga dialogu vetëm pasi Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiç tha se kreut të diplomacisë suedeze i ka ripërsëritur qëndrimet e Serbisë dhe atë që është e gatshme të përmbushë, si dhe se nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore