Shqipëria

Kreu vetëvrasje në Komisariatin e Kavajës, AMP-ja arreston tre punonjësit e Policisë


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Shqipëri, të enjten e 5 majit ka bërë me dije se janë arrestuar tre punonjësit e Policisë Kavajë, të cilët kishin për detyrë që të vëzhgonin shtetasin I. M., i cili kreu vetëvrasje në dhomat e izolimit të Komisariatit.

AMP-ja ka sqaruar se, pas ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e 31-vjeçarit nuk janë gjetur shenja dhune.

“Më datë 04.05.2022, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen”, thuhej në njoftim.

Sakaq, pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se punonjësit me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marrë masa për parandalimin e ngjarjes.

Në përfundim të hetimeve paraprake, AMP-ja ka arrestuar nënkomisarin P. B., me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë; inspektorin B. B., me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë dhe inspektorin R. K., me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.

Të tre akuzohen për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme.

Në përfundim, AMP-ja i ka bërë thirrje opinionit publik që të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore