Shqipëria

Vetëvaret një 31-vjeçar në Komisariatin e Kavajës


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në komisariatin e Policisë në Kavajë, ku një 31-vjeçar është vetëvarur në dhomat e izolimit.

Mësohet se shtetasi I.M ishte ndaluar ditën e sotme, në orën 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje.

Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se grupi i dhomës së paraburgimit ka tentuar të japë ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur pasi i riu kishte ndërruar jetë.

Viktima ishte emër i njohur për policinë dhe i shoqëruar disa herë.

Autoritetet njoftojnë se është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Pas ngjarjes ka pasur një reagim nga deputeti demokrat, Dashnor Sula i cili thekson se “burimet më konfirmojnë se i riu nuk ka vrarë veten por ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës barbare që kanë ushtruar punonjësit e policisë”.

“I bëj thirrje Prokurorisë që të zbardhin ngjarjen me profesionalizëm dhe pa lejuar manipulimin e provave. Opozita po ndjek me vëmendje ngjarjen dhe inkurajojmë organin e akuzës që të bëjnë punën në mënyrë të pavarur”.

Kujtojmë që më 28 mars, shtetasi Arben Mici dyshohej se i vuri zjarrin qelisë në Komisariatin e Kamzës ku për pasojë humbi dhe jetën për shkak të plagëve të marra.

Mendohet se 26-vjeçari e thuri planin e zjarrvënies bashkë me të arrestuarin tjetër, Dilaver Idrizin, me qëllimin për t’u arratisur. Autoritetet nuk përjashtojnë as pistën e një veprimi të 26-vjeçarit në gjendje të rënduar psikologjike, pasi më parë ai kishte tentuar vetëvrasjen.

Sipas një raporti të fundit të Këshillit të Evropës (SPACE I – 2021), burgjet në Shqipëri kanë një nga nivelet më të larta të vetëvrasjeve në Evropë, krahas vendeve si Franca, Britania dhe Italia.

Raporti SPACE I – 2021,  rendit 49 administrata të ndryshme burgjesh në të gjithë Evropën.

Më 31 janar të vitit 2021, në institucionet penale të Këshillit të Evropës ishin 1 milion e 414 mijë e 172 të burgosur.

Shkalla e vdekshmërisë në burgjet evropiane në vitin 2020 ishte 29 të burgosur për 10 mijë të tillë.

Ndërsa ajo e vetëvrasjeve ishte 5.7 të burgosur për 10 mijë të tillë.

Burgjet shqiptare dëshmuan 10 vetëvrasje për 10 mijë të burgosur.

Kjo statistikë e rendit Shqipërinë në vendet me shkallë shumë të lartë të vetëvrasjeve në burgje (25 për qind më e lartë se mesatarja evropiane).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore