Shqipëria

Kreu i KLP-së: Reforma në drejtësi erdhi si një përpjekje për t’u anëtarësuar në BE


Alfred Balla, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ka renditur sfidat e me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.

Balla, në fjalën e mbajtur në aktivitetin me rastin e Ditës së Drejtësisë, ka thënë se reforma në drejtësi u krijua si një përpjekje për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Përpjekjet për një reformim të drejtësisë nuk kanë munguar, sipas tij, por ato kanë qenë të pjesshme.

“Reforma në drejtësi është reforma më e rëndësishme që po ndodh në Shqipëri. Nuk kanë munguar përpjekjet, por ato kanë qenë të pjesshme”, ka thënë ai.

“Reforma në drejtësi erdhi edhe si një përpjekje për tu anëtarësuar në BE. Reforma e drejtësisë përfshinë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionet”, ka vijuar ai.

Sipas Ballës, përpjekjet për të përmirësuar sistemin e drejtësisë u arritën përmes implementimit të reformës në drejtësi.

Ai sakaq ka renditur edhe sfidat me te cilat përballen prokurorët dhe gjyqtarët në Shqipëri.

Sipas tij, aktualisht prokuroria dhe gjykata po përballen me sfida që duhet të fitohen:

1-Sfidën e plotësimit të vendeve të mbetura vakante nga procesi i vettingut. Duhen edhe disa vite për t’i plotësuar radhët.

2-Sfidën e gjetjes së një të mesme të artë  mes çështjeve pa fund të akumuluara ndër vite.

3-Sfidën e konsolidimit të organeve të drejtësisë.

4-Sfidën e rritjes së cilësisë së hetimit dhe gjykimit.

5-Sfidën e kontrollit profesional.

6-Sfida kryesore, rikthimin e besimit te drejtësia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore