Lajme

Krasniqi takon Hovenier-in: Thelbësore ruajtja e partneritetit me ShBA-të


Memli Krasniqi dhe Jeffrey Hovenier

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar këtë të premte me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, derisa e ka vlerësuar rolin e SHBA-së në proceset në të cilat ka kaluar Kosova.

“Në prag të shënimit të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar lart mbështetjen e pakusht e të parezervë të SHBA-ve në rrugëtimin e gjatë të vendit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, theksova se është thelbësore ruajtja dhe thellimi i partneritetit me SHBA-të – kryealeatin strategjik të Kosovës”, shkroi Krasniqi.

Ai shtoi se partia që ai udhëheqë do të vazhdojë të angazhohet në këtë drejtim, “të luaj rol konstruktiv në avancimin e raporteve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Takimi i Krasniqit me diplomatin amerikan vjen vetëm një ditë pasi ky i fundit ripërsëriti në një konferencë për media kritikat që Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, i bëri ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

Hovenier, e ka përgënjeshtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se çështja me dinarin nuk e afekton raportin në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Hovenier tha se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se raporti tashmë është afektuar nga kjo situatë, meqë Kosova nuk është treguar partnere me Amerikën.

“Unë jam i shqetësuar që ka intervista që sugjerojnë që partneritet i SHBA-ve me Kosovën nuk është afaketuar dhe nuk mund të afektohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë, kjo nuk është aspak e vërtetë, nuk është ky rasti. Kjo situatë veçse ka afektuar kualitetin e partneriteti tonë”, tha Hovenier duke iu referuar deklarimit të Kurtit.

“Çdo sugjerim për të kundërtën (se nuk ka ndikim kjo situatë) tregon për një keqkuptim apo keqprezantim fundamental”, tha Hovenier.

“Jemi të shqetësuar, do të thosha jemi edhe të frustruar që qeveria e Kurtit nuk ka marrë parasysh kërkesat tona. Çdo sugjerim që gjërat janë ‘OK’ dhe se jemi të gjithë në rregull me këtë situatë, thjesht nuk është e vërtetë”, shtoi Hovenier.

Tutje, ambasadori amerikan ka thënë se top-diplomati amerikan O’Brien, ka shprehur keqardhje që Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kësaj kërkese të SHBA-së.

“Më vjen keq që më duhet të thërras në vëmendje intervistën shumë të qartë dhe me tone të mprehta të O’Brien për këtë çështje. Ai ka kërkuar për partneritet, ka shprehur mërzinë e tij që qeveria e Kurtit s’është përgjigjur ndaj kërkesave tona dhe e ka bërë të qartë që nëse zotëri Kurti nuk do të na trajtojë si partnerë do vë në pikëpyetje se a mund të kemi partneritet me këtë qeveri”.

Sipas Hovenier është e rrallë të dëgjohet O’Brien duke dhënë intervistë me tone shumë kritike ndaj Kosovës.

“Është e rrallë që në Këshill të Sigurimit përfaqësuesi amerikan të thotë gjëra kritike për Qeverinë e Kosovës. Ambasadorja Linda-Thomas Greenfield e bëri këtë. Është e rrallë që ndihmës-sekretari për Evropë, James O’Brien, të japë intervistë me tone e kontekst të tillë siç e bëri, është shumë e rrallë. Reflekton për një problem. Shpresa ime është të ndalet kjo. Nuk duam të jemi në këto rrethana. Duam të jemi në rrethana tjera”.

SHBA-të, sipas Hovenier, kanë shqetësime signifikante me mënyrën se si rregullorja e BQK-së është duke u zbatuar.

“Ne i kemi ngritur këto shqetësime publikisht dhe privatisht. Ne nuk po sfidojmë nevojën e Kosovës që ajo të rregullojë sektorin financiar”.

Në mënyrë të përsëritur, sipas Hovenier, SHBA-të kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e kësaj rregulloreje.

Hovenier: Jemi të frustruar me Kurtin, raportet tona veçse janë afektuar – kush thotë ndryshe, thjesht nuk po thotë të vërtetën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore