Lajme

Krasniqi për zgjedhjet në Veri: Pas 24 shtatorit, gjërat kanë ndryshuar


Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duke folur për zgjedhjet e reja në katër komunat në Veri të Kosovës, ka thënë se pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, gjërat kanë ndryshuar, teksa shtoi se Kosova ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës, derisa pala tjetër, pra Serbia, nuk ka bërë progres në këtë drejtim.

“Nga koha kur është nënshkruar Marrëveshja e Bratislavës (10 korrik), Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime si zotim i atij diskutimi mes zëvendëskryeministrit [Besnik Bislimi] dhe emisarit [Miroslav] Lajcak, që të kontribuojë në qetësimin e situatës dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Krasniqi para gazetarëve.

Ne, pohoi ministri, si qeveri “kemi thënë se jemi për mbajtjen e zgjedhjeve, por për të shkuar në zgjedhje duhet kaluar në një proces demokratik”.

Ndërsa, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura si pasojë e refuzimit të qeverisë për të shtensionuar situatën në Veri, ai i konsideroi të padrejta atëherë kur ishin vendosur “e mbesin të padrejta edhe sot”.

“Kosova ka bërë çka do që ka qenë në dorën e saj për mbështetjen e këtij procesi, e Beogradi çfarë ka bërë… ka dërguar një grup të terroristëve që të aneksojnë Veriun e Kosovës”, shtoi.

Tutje, ministri Krasniqi theksoi se për këdo që mendon se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës, “është mirë që të vlerësohet situata edhe njëherë drejt”.

Kosova, më 10 korrik, në Bratislavë të Sllovakisë – ndër të tjera – kishte pranuar organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat Veriore, pas atyre të 23 prillit, të cilat ishin bojkotuar nga serbët lokalë – shumicë në këtë pjesë – dhe për reduktimin e njësiteve policore në dhe rreth objekteve komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore