Shqipëria

Kosovës nuk do t’i mungojë asistenca e Shqipërisë për anëtarësimin në BE


Përtej urimeve të zakonshme, Kosovës nuk do t’i mungojë as mbështetja dhe asistenca e Shqipërisë, për rrugëtimin drejt bashkësisë evropiane, pas aplikimit të bërë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kështu dëshmon edhe ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e ka uruar Prishtinën për aktin e ndërmarrë dhe ka treguar gatishmëri për ndihmë në vijimësinë e procesit.

“Urime Kosovës për aplikimin si vend kandidat në BE”, shkruan kryediplomatja shqiptare në llogarinë e saj në Twitter. “Shqipëria do të mbështesë dhe asistojë Kosovën në çdo hap të këtij procesi”.

Teksa, në mbyllje të mesazhit, ajo përsiat se si vendi i Kosovës, ashtu si i gjithë Ballkanit Perëndimor, është në Bashkimit Evropian, drejt një të ardhmeje të përbashkët.

Vetëm këtë vit, pas dekadash si vend kandidat për anëtarësim, Tirana hapi zyrtarisht negociatat me BE-në, së bashku me Maqedoninë e Veriut, ku ka nisur tashmë puna për shqyrtimin e kapitujve dhe përmbushjen e tyre, deri në çastin kur dy shtetet ballkanike të jenë gati për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian të enjten e 15 dhjetorit, kur kryeministri Albin Kurti, i ka dorëzuar kërkesën Presidencës çeke.

Ky aplikim, ndonëse simbolik, është mirëpritur edhe nga deputetët e Parlamentit Evropian, të cilët kanë folur mbi çështjen.

Raportuesja e Përhershme për Kosovën në PE, Viola von Cramon dhe Kryesuesi i Delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Kosovën, Romeo Franz, dorëzimin e kërkesës për anëtarësim nga kryeministri Albin Kurti, përmes një deklarate të përbashkët, e kanë vlerësuar si “moment historik në marrëdhëniet BE-Kosovë”.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk pasqyron vetëm orientimin e vendosur pro-evropian të kosovarëve dhe konsensusin mes partive politike. Është gjithashtu një zgjedhje e qartë strategjike në këto kohë sfidash të paprecedentë gjeopolitike”.

Eurodeputetët kanë theksuar se solidariteti i Kosovës me popullin e Ukrainës e ka pozicionuar atë si një partner të besueshëm të aleancës evropiane dhe transatlantike.

“Ne përgëzojmë harmonizimin e vazhdueshëm të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, para së gjithash përmes miratimit të sanksioneve pas luftës së agresionit rus kundër Ukrainës”.

Ndërkaq, Cramon dhe Franz, u kanë bërë thirrje Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros – pesëshja mosnjohëse e BE-së – që ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe “ta lejojnë atë të përparojë në rrugën e saj evropiane në baza të barabarta me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore