Lajme

Kosovë: Qeveria do të mbështesë nismat për arritjet arsimore të komuniteteve


Ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa u përket arritjeve në fushën e arsimit.

Këhtu ka bërë të ditur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e një Qendre të re të Komunitetit dhe Mësimit në Fushë Kosovë.

“Qendrat mësimore si kjo e juaja kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e këtij hendeku, duke mobilizuar potencialin e komunitetit që t’i ndihmojë pjesëtarët e vet. Por, në krah do ta keni edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të hezitojë t’i mbështes nismat e tilla”, ka thënë Kurti.

Po ashtu ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara.

Këtë vit, për herë të parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa, Kurti tha se do të bëhen përpjekje që kjo shumë të rritet, në vitin tjetër 

Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program, sipas kryeministrit, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri”, shtoi kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se kur familja jeton në kushte të vështira ekonomike, shkollimi i fëmijëve mund të duket si luks. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se shkollimi dhe dija janë rruga e vetme për dalje nga qarku i varfërisë

Projekti për ndërtimin e Qendrës për Komunitetin i nisur vitin e kaluar nga organizata “The Ideas Partnership”, është ndihmuar nga donatorë dhe institucione ndërkombëtare e vendore, por ka mbetur në gjysmë të rrugës për t’u përfunduar.

Qëllimi i Qendrës është të mbështesë rreth 300 fëmijë në edukim, për të zgjeruar njohuritë dhe për t’u bërë agjentë të ndryshimeve pozitive për komunitetin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore