Lajme

Kosovë: Përfshihen 200 hektarë tokë nga zjarri në Suharekë


Bali Muharremaj, Kryetari i Komunës së Suharekës, në vendin e ngjarjes

Fshati Studençan dhe Fshati Tërnje në komunën e Suharekës janë kapluar nga zjarri gjatë pasdites të së dielës.

Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i i policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, duke shtuar se njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ofruar ndihmën e tyre.

“Zjarri për momentin e ka kapluar fshatin Studençan dhe Tërnje të komunës së Suharekës, bazuar në informacionet tona përafërsisht 200 hektar shkurre dhe një pjesë e malit janë duke u djegur, zjarri është duke avancuar me shpejtësi shkaku i temperaturave dhe erërave, brigada e zjarrfikësve dhe njësitë policore dhe qytetarët janë duke e dhënë maksimumin me lokalizimin e zjarrit”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër edhe Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se zjarret kanë kapluar edhe Zonën Industriale në Shirokë duke e cilësuar situatën shumë serioze

Muharremaj ka thënë se të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në terren. Ai po ashtu ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve.

“Situata është serioze nga përfshirja e zjarreve në Zonën Industriale në Shirokë. Të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në teren, e po ashtu kemi kërkuar ndihmë edhe nga Prizreni dhe Mamusha. Të gjithë ata që mendojnë se mund ta japin ndihmë e tyre me cisterna private i ftoj të na ndihmojnë”, ka shkruar Muharremaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore