Lajme

Konkluzionet e Këshillit të Evropës thonë se Qeveria Kurti s’pati sukses në luftimin e korrupsionit


Foto: Albanian Post

“Sfida jonë e radhës është çlirimi i Kosovës nga korrupsioni”, thoshte Albin Kurti sa ishte në opozitë, por tani që bërë kryeministër qe gati tri vite, sipas konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, ka pasur “progres të limituar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit”, derisa për opozitën nuk është rastësi një vlerësim i tillë nga BE-ja, meqë kjo Qeveri ka miratuar “ligje antikushtetuese”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë për Albanian Post se një vlerësim i tillë negativ nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së duhet të merr seriozisht nga Qeveria e Kosovës.

“Vlerësimi i tillë negativ që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së ka bërë për Republikën e Kosovës është tepër shqetësues”, tha Tahiri.

Si arsyeje që Kosova nuk pati progres në luftën kundër korrupsionit, sipas Tahrit, ka të bëjë edhe me aferat korruptive të kësaj qeverie, për faktin se disa raste dhe subjekte të profilit të lartë ishin dhe janë nën hetime dhe Qeveria apo vetë kryeministri, si udhëheqës i saj, “i mori në mbrojtje” këta zyrtarë duke sulmuar në mënyrë të pashembullt institucionet e pavarura të zbatimit të ligjit.

Abelard Tahiri

“Në këtë rast, vlen të theksojmë aferën e rezervave shtetërore ku kryeministri jo vetëm që mori në mbrojtje zyrtarët e arrestuar, por u kujdes që përmes ministrit të Punëve të Brendshme të ndikojë në Policinë e Kosovës, respektivisht në njësinë e veçantë hetuese që drejtori i saj të shkarkohej, mos ta harrojmë edhe arrestimin e Kryeshefit të KEK-ut”, shtoi ai.

Në një linjë me Tahirin sa i përket kritikave ndaj Qeverisë, është edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratikët të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili thekson për AP se Qeveria Kurti “ka shënuar regres të madh” në luftën kundër korrupsionit.

“Sundimi i ligjit nënkupton asgjë për këtë qeveri, pos presion për shkarkime, largime dhe kapje të shtetit. Qytetarët po ikin edhe nga pasiguria juridike, që është problemi më i madhe sot në Kosovë”, shtoi Haziri, teksa ka listuar “pesë skandale” të këtij ekzekutivi që sipas tij, “ia humbë kredibilitetin”.

“Rezervat shtetërore, energjia, kontratat njëburimore, mos blerja e librave shkollorë, arrestimet për skandalin e KEK dhe magjes së popullit me rezervat shtetërore, blerja e kamionëve të vjetër pa procedura në Gjilan apo edhe ngrirja e investimeve të kësaj qeverie lexohet si mos zbatim ligji dhe forma korruptive të administrimit. Kjo qeveri administron, nuk qeveris”, ka nënvizuar Haziri.

Lutfi Haziri

Ndryshe, sipas “Betimit për Drejtësi”, Task-forca antikorrupsion në polici aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra të Qeverisë Kurti, siç janë ministri i Financave, Hekuran Murati, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrja e Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu.

Po ashtu Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023, theksonte se mosardhja e investitorëve të huaj në Kosovë është për shkak të korrupsionit dhe mos sundimit të ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore