Lajme

Konjufca siguron Hovenier: Situata s’del jashtë kontrollit pse dinari u hoq nga përdorimi


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të premten, në një konferencë për media, u është përgjigjur shqetësimeve të parashtruara nga ana e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, se çështja e dinarit mund të jetë shkaktar i eskalimit të situatës në Veri të Kosovës.

Sipas Konjufcës, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, meqë “situata nuk mund të del prej kontrollit pse dinari është hequr prej përdorimit”.

“Ne sigurojmë që kjo nuk do të ndodhë dhe siguria do t’ju ofrohet të gjithëve. Gjithashtu do të përballen me sundim të ligjit të gjithë ata që mundohen të shkaktojnë trazira”, ka potencuar ai.

Konjufca gjithashtu ka potencuar se shfrytëzimi i dinarit serb në territorin e Kosovës është dashur të ndërpritet menjëherë pas luftës.

“Dinari edhe shfrytëzimi i tij është dashur të ndërpritet kur Serbia është larguar nga Kosova, por prej vitit 2001, askush nuk ka dyshim që dinari ka qenë gjithmonë ilegal, tjetër gjë që është përdorur në mënyra të ndryshme prej institucioneve paralele që i ka pasur Serbia këtu. Nuk bëhet fjalë vetëm për mjekët dhe mësuesit, por janë financuar edhe shumë persona të rrezikshëm”, ka thënë Konjufca.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër vendimit të Bankë Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, para gazetarëve, menjëherë pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dua të përsërisë qëndrimin e SHBA-ve: kemi  shqetësime serioze dhe rezerva për zbatimin e këtij vendimi. Mund ta them lirisht se jemi kundër këtij vendimi”, deklaroi Hovenier.

Ai shtoi se për shkak të shqetësimeve që kanë për eskalim të tensioneve, kjo çështje fillimisht duhet të diskutohet në Bruksel.

“Kemi përshtypjen se nuk janë në dijeni të plotë për impaktin që do ta ketë ky vendim për qytetarët, sidomos për ata që marrin ndihma nga Serbia këtu në Kosovë. Mendojmë që kjo cështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm, por gjithashtu diskutim në dialogun e Brukselit, jemi të shqetësuar se mund t’i ekskalojë tensionet etnike”, pohoi Hovenier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore