Tokyo 2020

Konfirmohet rasti i parë me COVID-19 në Fshatin Olimpik, 6 ditë para ceremonisë së hapjes


Oficerët e policisë qëndrojnë pranë hyrjes në fshatin e atletëve për Lojërat Olimpike Verore dhe Paraolimpike 2020, të enjten, 15 korrik 2021, në Tokyo

Të shtunën e 17 korrikut është konfirmuar rasti i parë pozitiv me COVID-19 brenda Fshatit Olimpik vetëm gjashtë ditë para ceremonisë së hapjes.

Zyrtarët e komitetit organizues të Lojërave Olimpike të Tokyo-s nuk pranuan të identifikonin personin e infektuar por thanë se individi kishte udhëtuar në Japoni nga përtej detit dhe ishte një “person i ardhur për Lojërat”.

Më tej ata bënë me dije se ky person ndodhet në karantinë në një dhomë hoteli.

Mijëra atletë dhe gazetarë po mbërrijnë në Tokyo për Lojërat e vendosura për të filluar më 23 korrik midis një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve të coronavirus-it në kryeqytetin e vendit.

Japonia ka ndaluar hyrjen e spektatorëve për të parë Lojërat Olimpike përreth Tokyo-s në një përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit. Nga ana tjetër mbështetja publike për zhvillimin e Lojërave mbetet e vakët.

Deri më tani, 44 persona të lidhur me Lojërat kanë dalë pozitiv me COVID-19 që kur komiteti filloi të gjurmonte infeksionet në fillim të këtij muaji.

Sipas raporteve të mediave lokale, një anëtar i delegacionit nigerian u bë vizitori i parë olimpik që u shtrua në spital me COVID-19.

Po ashtu zyrtarët olimpikë njoftuan se po punohet për të parandaluar çdo shpërthim. Ata që vijnë nga përtej detit testohen para se të nisen dhe pasi të zbarkojnë në Tokyo.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili ka qenë subjekt i kritikave të përsëritura mbi zhvillimin e Lojërave në kohë pandemie, këtë javë premtoi se ekziston rreziku “zero” që virusi të përhapet nëpër Fshatin Olimpik ose më gjerë.

Ai përmendi faktin se të gjithë ata që mbërrijnë në Japoni janë testuar para se të hyjnë Tokyo.

Bach në një konferencë për shtyp gjatë kësaj dite kritikoi raportet e komitetit organizues të Tokyo-s se ka në plan të organizojë një festë për të mirëpritur atë të dielën në mbrëmje me 40 të ftuar. Përfshirë këtu politikanë të profilit të lartë.

Midis të ftuarve janë kryeministri japonez Yoshihide Suga, presidenti i Komitetit Olimpik të Tokyo-s, Seiko Hashimoto dhe ish-shefi i Lojërave Olimpike, Yoshiro Mori. Ky i fundit dha dorëheqjen në fillim të këtij viti për vërejtjet seksiste që bëri në lidhje me gratë.

Ndërkohë, zyrtarët lokalë në Osaka thanë se një atlet i Ugandas, i cili ishte zhdukur nga një kamp stërvitje atje la një shënim që ai synonte të qëndronte në Japoni për shkak të vështirësive për të jetuar në shtëpi.

Sportisti nuk u paraqit për tu testuar të premten dhe u raportua i zhdukur. Zyrtarët lokalë thanë se gjetën shënimin në vendin e tij të akomodimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore