Sport

Ancelotti: Xavi më ka impresionuar shumë


El Clasico e së dielës do të sjell përballjen mes Carlo Ancelotti-t dhe Xavi Hernandez-it, por ky i pari ka mbetur i impresionuar me atë që katalanasi po bën te Barcelona.

Përpara përballjes së së dielës mes Real Madrid-it dhe Barcelonës, Ancelotti u pyet se si kanë ndryshuar Blaugranët nën drejtimin e trajnerit të ri.

“Identiteti i Barcelonës nuk ndryshon kurrë, pasi klubi ka një stil të qartë”, tha italiani.

“Xavi përshtatet mirë me atë stil dhe skuadra është përmirësuar shumë nën drejtimin e tij”.

“Ata janë një ekip i kompletuar dhe po luajnë mirë. Mendimi im është se ai po bën një punë të mirë”.

Pavarësisht vlerësimeve të tij për punën e Xavi-t në Barcelonë dhe pohimit të tij se Blaugranët po luajnë në stilin tipik të klubit, Ancelotti tha se nuk i pëlqen të ketë një stil të caktuar për ekipet e tij.

“Futbolli nuk ka të bëjë vetëm me një stil, sipas mendimit tim”, tha ai

“Dua që skuadrat e mia të kenë identitete të ndryshme. Gjithmonë jam përpjekur të përdor stile ku lojtarët e mi ndihen rehat, shtoi italiani.

Stili i Real Madridit duhet të bazohet në karakteristikat e lojtarëve.

Duke folur më në detaje për ndeshjen e së dielës, Ancelotti konfirmoi se Karim Benzema mungon dhe u pyet për zëvendësuesit e mundshëm.

“Benzema është një anëtar shumë i rëndësishëm i skuadrës sonë, kështu që tani do të duhet të kërkojmë zgjidhje pasi nuk do ta kemi atë”, tha trajneri.

“Unë kam vendosur tashmë, kush do ta zëvendësojë atë, por nuk do ta zbuloj këtë këtu”.

“Ne kemi opsionet e Bale, Mariano dhe Jovic, ndërsa Isco ose Rodrygo kanë luajtur gjithashtu atje me raste”.

“Ka shumë opsione. Unë kam zgjedhur atë që mendoj se është më i miri për këtë lojë”.

Ancelotti gjithashtu insistoi se ai nuk është shumë i shqetësuar për dëmtimin e Benzema-s dhe se është i lumtur që tani lojtarët do kenë pushimin ndërkombëtar.

“Mendoj se ky dëmtim vjen në një moment të mirë, pasi tani i kemi dy javët e pushimit ndërkombëtar që ai të rikuperohet”, shtoi trajneri.

“Ai do të kthehet më i fortë për pjesën tjetër të sezonit”, përfundoi Ancelotti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore