Kosova

Situata e sigurisë temë diskutimi mes Osmanit dhe komandantit të KFOR-it


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe komandanti i KFOR-it, Ozakn Ulutas.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të premten me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Takimin e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës përmes një komunikatë për media.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, me ç’rast Komandanti ka prezantuar vlerësimet e situatës së sigurisë në vend nga ana e KFOR-it, si dhe e ka njoftuar Presidenten Osmani për veprimet që po ndërmerren në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, theksohet se Osmani e ka falënderuar komandantin e KFOR-it, për angazhimin e tij personal, si dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar të premten me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e misionit paqeruajtës me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Gjatë bisedës me komandantin shpreha mirënjohje për trupat e KFOR-it dhe vlerësimin për nivelin e lartë të bashkëpunimit të deritanishëm me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në funksion të sigurisë së vendit”, ka shkruar ai.

Lajmi është bërë i ditur nga Maqedonci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Gjatë bisedës me komandantin shpreha mirënjohje për trupat e KFOR-it dhe vlerësimin për nivelin e lartë të bashkëpunimit të deritanishëm me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në funksion të sigurisë së vendit”, shkroi Maqedonci.

Me këtë rast, ai theksoi se gjeneralmajor Ulutas shprehu kënaqësinë e tij për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe gatishmërinë për vazhdimin e koordinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore