Kosova

Komandanti i ushtrisë serbe vë në pikëpyetje fuqinë e KFOR-it: Shpresoj që mund ta stabilizojë situatën dhe të mbrojë popullin serb në Kosovë  


Milan Mojsiloviç

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç, ka pretenduar se situata në Kosovë është tejet e komplikuar.

Në një intervistë për mediumi serb, TV Prva, komandanti i Ushtrisë Serbe, ka thënë se shpreson që Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, do të ketë fuqi të mjaftueshme për të stabilizuar situatën dhe për të mbrojtur popullin serb në Kosovë.

“Do të bisedoj të hënën me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, për të shkëmbyer informacione të caktuara për situatën e sigurisë dhe shpresoj që KFOR-i do të ketë fuqi të mjaftueshme në kapacitetin e tij për të qenë një faktor që stabilizon dhe mbron popullin serb në Kosovë”, ka potencuar ai.

Situata në Kosovë, sipas pretendimeve të ushtarakut, Mojsiloviç është shumë e komplikuar meqë ka mungesë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka pretenduar se në Veri të Kosovës aktualisht ka një angazhim të tepruar të Policisë së Kosovës.

“Përveç Policisë së Kosovës, praninë e tij në Veri e ka shtuar edhe KFOR-i”.

Mojsiloviç ka vlerësuar se si një ushtar i cili merret me çështje të sigurisë se aktualisht nuk ka shumë shpresa se do të ketë një zgjidhje që garanton paqen dhe stabilitetin në tërësi.

“Ne kemi detyrat tona të përcaktuara qartë dhe nuk devijojmë prej tyre dhe në fund të fundit urdhrat e marra nga komandanti suprem zbatohen plotësisht”.

Çfarë tha Komandanti i KFOR-it?

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, të premten Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral major Ozkan Ulutas, ka thënë se është katërshifruar prezenca e trupave të KFOR-it në Veri të Kosovës, si dhe është trefishuar numri i patrullave, derisa ka shtuar se situata e sigurisë në këtë zonë të Kosovës është përmirësuar pas tensioneve të fundit, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Ulutas ndër të tjera tha se NATO iu përgjigj shpejt situatës së tensionuar në Veri të Kosovës duke vendosur 1000 ushtarë dhe automjete të blinduara shtesë.

“Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni ynë të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, dhe bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo vit, kohë dhe në mënyrë të paanshme”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore