Lajme

KMDLNJ: Qeveria të mos lejojë referendumin e Serbisë në Kosovë


Qeveria e Kosovës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar ndaj kërkesës së kryediplomatit evropian, Josep Borrell, për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshimet kushtetuese.

“Mbajtja apo lejimi për mbajtje të një referendumi të Serbisë në Kosovë ndërlidhet me sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës andaj qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë dhunimin e këtij sovraniteti që ia garanton edhe e drejta ndërkombëtare sikur që e detyron edhe Kushtetuta e Kosovës të mos lejojë këtë referendum”, thuhet në reagimin e KDMLNJ-së.

Këta të fundit kanë thënë se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë ndaj veprimeve anuese te Borrell-it dhe Lajçakut.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të kushtëzojë se kush do të jetë përfaqësues i BE –së në bisedime midis Kosovës dhe Serbisë por duhet të reagojë në çdo veprim anues të Borrell-it dhe Lajçakut duke mos bashkëpunuar për jetësimin e propozimeve të tyre e që janë nga pozicionet puro serbe”.

Moslejimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese të Serbisë, sipas KMDLNJ-së nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut përmes mohimit të drejtës së votës, por pikërisht është demonstrim i zbatimit të universalitetit të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell.

KMDLNJ thotë se nuk e ka të qartë rolin e Borrell-it si lehtësues në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duke e vlerësuar kredibilitetin e tij me notën zero.

Serbia ka kërkuar që referendumi i 16 janarit të mbahet edhe në Kosovë, dhe një kërkesë të tillë Borrell ia ka adresuar edhe kryeministrit Albin Kurti, por që ky i fundit është shprehur kategorik kundër, duke thënë se serbët e Kosovës mund të marrin pjesë vetëm përmes postës ose zyrës ndërlidhëse.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell ka dalur pro mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është pajtuar të mërkurën për këtë gjë.

Sipas tij, njerëzve duhet t’iu lejohet ushtrimi i të drejtës së tyre për votë, derisa ka theksuar se në të kaluarën ka qenë misioni i OBSE-së që të merret me ndërmjetësimin e grumbullimit të votave.

“Fola me Albin Kurtin dje lidhur me mbledhjen e votave në Kosovë për referendumin kushtetues të së dielës në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën është bërë përmes lehtësimit të OSBE-së. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ai shtoi se, “referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”.

Më 12 janar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me telefon me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell për mundësinë e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës.

“Në një telefonatë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ia përcolla qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në refereundimin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore