Kosova

Këshilltari i Bislimit: Çuditërisht Vuçiç-it po i beson faktori ndërkombëtar


Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, konsideron se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është duke vazhduar t’i “ekspozoj gënjeshtrat e tij”, prandaj “është e çuditshme se si faktori ndërkombëtar po i beson Serbisë”.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Serbia është ajo që ka përqëllim destabilizimin e Kosovës, pasi atij i pengon progresi i vendit.

“Tash, a i kontrollon apo nuk i kontrollon? A ka ndikim apo nuk ka ndikim? Pse flet me kaq siguri për sjelljen e serbëve Vuçiq, kur sipas fjalëve të tij nuk i kontrollon ata? Ku e merr këtë guxim për të dhënë siguri veç një javë më vonë tek ndërkombëtarët? Përgjigja është e thjeshtë: rrenat e Vuçiqit, po i ekspozon vetë Vuçiqi. Përmes kundërthënieve të tij”.

Ndër të tjera, Kadiu ka deklaruar se është presidentit i Serbisë ai që i kontrollon edhe bandat në Veri.

“Çuditërisht vetëm për faktorin ndërkombëtar është i besueshëm. Presidentit të Serbisë po i intereson ruajtja e status quos, kaosit, e tentativat e panumërta për destabilizimin e Kosovës. Atij i pengon progresi i vendit tonë, i pengojnë marrëveshjet e mëhershme dhe të tashme që duhet t’i zbatojë, i pengon shteti i Kosovës”.

“Sepse siç ka thënë dhe ai vetë në 2018, ‘nuk e kam ndërmend ta dorëzoj veriun e Kosovës’. E kështu pra thoshte në 2018 ky person, që në CNN thotë se ‘nuk i kontrollon bandat në veri”.

Edhe më 6 qershor, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi ky i fundit pas takimit me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, tha se “Serbia ka qenë konstruktive në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit në mbarë rajonin”.

Pasi që renditi disa nga shkeljet që i ka bërë Serbia, ai i kërkoi llogari bashkësisë ndërkombëtare se kur do t’i dënojnë këto shkelje të Beogradit, pas kritikave të tyre ndaj Kosovës për situatën e krijuara në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore