Lajme

Këshilltari i Bislimit i kërkon llogari Perëndimit: Kur do të reagoni ashpër kundër Serbisë


Klisman Kadiu

Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi ky i fundit pas takimit me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, tha se “Serbia ka qenë konstruktive në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit në mbarë rajonin”.

Pasi që renditi disa nga shkeljet që i ka bërë Serbia, ai i kërkoi llogari bashkësisë ndërkombëtare se kur do t’i dënojnë këto shkelje të Beogradit, pas kritikave të tyre ndaj Kosovës për situatën e krijuara në Veri.

“Kur do reagojnë ashpër ndërkombëtarët për këtë ‘konstruktivitet’ [të Serbisë]?”, pyeti ai.

Duke komentuar deklaratat e Vuçiç-it për “konstruktivitetin” e Serbisë, Kadiu përmendi disa nga ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në Ballkan ku shteti serb ka qenë protagonist.

“Luftë me Kroacinë, luftë me Slloveninë, gjenocid e spastrim etnik në Bosnjë e Kosovë, ulje të nivelit të demokracisë, lidhje të ngushta me grupe kriminale, ndërhyrje në punë brendshme në Mal të Zi e Kosovë, mospranim i shtetësisë së Kosovës, baza ushtarake përreth Kosovës, fluturimi i Mig-ave në kufi me Kosovën, ngritja e nivelit të gatishmërisë së ushtrisë serbe disa herë afër kufirit me Kosovën”, shkroi ai në rrjetin social “Facebook”.

Ndërkaq, ai vazhdon që ta citojë pjesën tjetër të deklaratës së Vuçiç-it, pas takimit me Escobar dhe Lajçak, i cili theksoi se “porosita se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe mbi të gjitha formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.

Por, këshilltari i Bislimit e pyet Vuçiç-in: “Po Serbia kur do i përmbushë obligimet e saj?”, duke ia renditur disa prej tyre.

“Shuarjen e strukturave paralele ilegale; Mosndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës; Të mos e pengojë apo inkurajojë palë të treta që ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane; marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit; marrëveshja për vulat doganore; 6. marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave; marrëveshja për zhbllokimin e linjave të interkonjeksionit”.

“Marrëveshja për energjinë; pjesë të marrëveshjes për telekomin; marrëveshja për vendosjen e zyrave ndërlidhëse; marrëveshja për certifikatat fitosanitare; Dëftimet e premtimet e panumërta, që Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës; Vota e Serbisë kundër aplikimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës; Lobimi i vazhdueshëm që Serbia dhe misionarët e saj e bëjnë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare; fushatat për çnjohjen e Republikës së Kosovës”, renditi ai shkeljet e Serbisë.

Ndërsa, potencoi se “këto veç për të përmend disa prej tyre, shkelje ka edhe më shumë”.

S’ka më sekrete, Gabriel Escobar i tregon të gjitha

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore